Komisioni disiplinor ka marrë vendimin që ta përjashtojë nga shërbimi civil Nexhat Krasniqin, i cili është përfshirë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit. Kështu ka konfirmuar të mërkurën (22 Nëntor) ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Vendimi është marrë sot (22 Nëntor) nga Komisioni Disiplinor brenda Ministrisë së Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Me datën 3 nëntor jemi njoftuar nga State Departmenti që për z.Krasniqi ka masë nga Shtetet e Bashkaura të Amerikës dhe në po të njëjtën ditë është marrë vendimi i pezullimit nga pozita. Që nga ajo ditë e deri më sot kemi arrit në pozitën kur z.Nexhat Krasniqi, me vendimin e Komisionit Disiplinor, është heq nga shërbimi civil. Në ndërkohë më 15-11 është vendosur në pozitën U.D të përkohshme për të cilën pastaj do të hapet konkursi për 2 pozitat dhe me datën 20 nëntor është vendos, është bërë kërkesë nga Komisioni Disiplinor për ta marrë vendimin që është marrë sot me datë 22”, tha Aliu.
Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij i është ndaluar hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, thuhej në njoftim.
Pas saksionimit të Krasniqit, kishte reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Sipas tij, saksionimi i Krasniqit tregon se sa me seriozitet e trajtojnë çështjen e korrupsionit.
“Ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit”, shkroi Hovenier në X (ish-Twitter).