Petrit Bylykbashi "bashkëjetoi" 18 ditë me Covid-19. Nuk kishte të gjitha simptomat e sëmundjes, por vetëm temperaturën e lartë, e cila siç tha ai, e bëri të kuptonte direkt se edhe ai do i shtohej bilancit të të prekurve në Kosovë. Gjatë një komunikimi për Report Tv nga Kosova me gazetarin, i riu që mposhti virusin, tha se pas dy testesh ka rezultuar negativ dhe tani është mirë me shëndet. Ai deklaroi më tej se nesër do u bashkohet qendrës së vullnetarëve më Kosovë, ndërsa kujdesin nuk e heq asnjëherë nga mendja, sepse kjo sëmundje është e pabesë.
Petriti, ndoshta jo si të gjithë të shëruarit e tjerë, ka vendosur të dhurojë plazmën e gjakut të tij për ata persona të cilët janë prekur dhe kanë nevoje për antitrupa të fortë, që thuhet se i ka pikërisht gjaku i të shëruarve.
Ai nuk e ka gjetur ende mundësi për të realizuar një proces të tillë, sepse në Kosovë ende nuk ka arritur mënyra se si gjë e tillë mund të realizohet, por mbetet i hapur për të kontribuar ashtu siç ai mundet.
Në fund, ai pati edhe një mesazh për ata që thyejnë karantinën. Bylykbashi deklaron se nuk është rasti për të thyer masat sepse edhe nëse nuk kemi frikë për veten, duhet të kemi vëmendje për të tjerët të cilëve mund tua ngjisim pa kuptuar.