Kronikë

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

11 Janar, 19:27| Përditesimi: 11 Janar, 19:37

  • Share

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet britanike, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Another”, duke çuar në arrestimin e shtetasit shqiptar Edison Muceku, 34 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pas shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Interpol Manchester, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e këtij shtetasi, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ai akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

'Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 34 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.', njofton policia.

Emri i Edison Mucekut, ishte te lista e megaoperacionit të SPAK në maj të vitit 2024, ku u lëshuan 50 urdhër arreste për emrat më të njohur të botës së krimit në vend. Mes këtyre emrave ishin dhe emrat e Leonard Dukës, Durim Bamit apo Ervis Martinaj.

Interpol Tirana dhe Interpol Manchester po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë. Ky operacion dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me homologët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?