Bota

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për laboratorin e zbuluar në Frakull, arrestohet në Kolumbi eksperti i kokainës! Do të nxirrte 485 kg kokainë nga 400 thasë me pleh kimik (EMRI+VIDEO)

4 Shtator, 12:14| Përditesimi: 4 Shtator, 12:26

  • Share

Saimir Rosales Rodriguez, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria, është arrestuar në Kolumbi i akuzuar për lidhjet e tij me bandat shqiptare të trafikimit dhe përpunimit të drogës. Rodriguez ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2022 i lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në fshatin Frakull i Madh të Fierit.

Laboratori i kokainës ishte ngritur në banesën në pronësi të ish-kryetarit të komunës së Frakullit, Viktor Çervanakut. Droga vinte nga vendet e Amerikës Latine e përzier me pleh kimik, me qëllim kalimin më me lehtësi nga një shtet në tjetrin pa rënë në sy të autoriteteve.

Këtu del në skenë dhe Saimir Rosales Rodriguez. Ai ndryshe njihet si ekspert kimik i ndarjes së kokainës nga produktet me të cilat është përzierë duke përdorur metoda të sofistikuara. Kolumbiani do të nxirrte 485 kg kokainë nga 400 thasë me pleh kimik, të sekuestruara në oborrin e banesës në pronësi të ish-kryetarit të komunës.

Rodriguez ishte përgjegjës për procesin teknik të nxjerrjes së kokainës mes substancave të tjera, ndërsa gjithashtu funksiononte si ndërlidhës midis organizatave mafioze shqiptare të pranishme në Amerikën e Jugut dhe strukturave lokale të trafikimit të drogës.

Sipas raportit të policisë, Rosales Rodriguez mbikëqyri drejtpërdrejt logjistikën e dërgesave të shumta të kokainës të transportuara nga Paqësori Kolumbian dhe të fshehura kryesisht në plehra organikë.

Kolumbiani operonte nëpërmjet kompanive fasadë që lejonin dërgimin e ngarkesave nga porti i Buenaventurës, në Kolumbinë jugperëndimore, në vende si Greqia dhe Mali i Zi. Shkalla e aktivitetit të tyre kriminal reflektohet në koordinimin e operacioneve komplekse transnacionale që përfshijnë qeliza të ndryshme të krimit të organizuar të shpërndara në disa kontinente.

Saimir Rosales Rodriguez është personi kyç për zbardhjen e plotë të qarkullimit të drogës nga shteti në shtet, referuar ngarkesave të mëdha dhe metodës së sofistikuar të fshehjes së kokainës mes substancave të tjera e më pas veçimit nëpërmjet proceseve kimike.

Laboratori i kokainës në fshatin Frakull i Madh të Fierit u zbulua në nëntor të vitit 2022. Në atë kohë u arrestuan 15 persona, 4 prej të cilëve u kapën në Tiranë.

Ata janë identifikuar si Bledar Matoshi 33 vjeç, Kid Koshena 28 vjeç, Klajdi Vrioni (Kodra) 32 vjeç Redion Meshi, 22 vjeç. Operacioni u zhvillua nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me DEAn amerikane dhe policisë malazeze.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?