I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Rexhep Ipek është arrestuar nga policia dhe është ekstraduar nga Bullgaria drejt Tiranës. 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal i goditur në vitin 2019 për trafikimin e kokainës.
3 vite hetime çoi në shkatërrimin e 4 grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së. Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke, u finalizua me operacionin e fundit policor "Limit" me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë), ku ditën e sotme u arrestuan 17 persona, ndërsa 6 të tjerë janë aktualisht në burg, të arrestuar më herët, ndërkohë 7 janë në kërkim.
Gjykata lë në burg 21 persona të arrestuar nga nga operacioni "Limit" ndërsa për tre të tjerë Bektash Zeneli, Fejzo Dana, Agron Manka, gjykata caktoi masën e sigurisë 'arrest shtëpie'. Arrest me burg në mungesë u vendos dhe për Rexhep Ipek i cili ishte shpallur në kërkim. SPAK ka mbyllur hetimet për 31 të pandehurit gjatë operacionit dhe e ka çuar çështjen për gjykim në Gjykatën Speciale anti-korrupsion.
Hetimet të shtrira në një periudhë 3-vjeçare (2016-2019) kanë zbuluar edhe skemën si funksionin këto grupe kriminale. Në Holandë sigurohej fara e kanabisit, më tej kalonte tranzit në Greqi, dhe me ardhjen në Shqipëri bëhej edhe përpunimi në laboratorë të posaçme për kultivimin e lëndëve narkotike. Më tej, droga trafikohej në Greqi, Turqi dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.