Eljon Hato

Kronikë

Në kërkim nga operacioni ‘Metamorfoza’, RENEA kontrolle për Eljon Haton në Shkodër! Miku i Ervis Martinajt ‘shpëton’ sërish! Shoqërohen disa persona, mes tyre edhe i vëllai

6 Prill, 13:20| Përditesimi: 6 Prill, 15:36

  • Share

Një tjetër operacion i forcave RENEA ka dështuar në Shkodër për gjetjen dhe arrestimin e Eljon Hatos, i njohur si ushtari i Ervis Martinajt, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza” që prej vitit 2023.

Burime për gazetarin e Report TV, Sokol Dema bëjnë me dije se kontrolle të shumta janë kryer në zonën e Rrethinave në Shkodër në orët e mbrëmjes, por Hato sërish nuk është gjetur. Të njëjtat burime thonë se nga ky aksion janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 5 apo 6 persona, në mesin e të cilëve edhe vëllai i Eljon Hatos.

Nuk dihet nëse operacioni është dekonspiruar, apo Hato nuk ka qenë në banesë gjatë kontrolleve. Edhe më herët RENEA ka kryer disa operacione për arrestimin e tij në Shkodër dhe Tiranë por nuk ka mundur ta gjejë. Në mars të vitit 2024, forca të shumta policore kryen kontrolle në Sauk, ku dyshohej se ndodhej Eljon Hato, por asokohe u gjet vetëm makina e tij në zonë. 

Në janar të atij viti, një tjetër aksion u zhvillua në banesën e tij në Shkodër, ky dyshoej se fshihej ai, por sërish policia nuk arriti ta kapte. Në aksion morën pjesë mbi 50 forca policore, të FNSH dhe të RENEA të cilët kaluan mbi murin rrethues dhe prenë telat me gjemba, duke vrarë njërin qen të shtëpisë, e plagosur tjetrin.

Kush është Eljon Hato?

Eljon Hato, një emër me rekorde kriminale, ka qenë i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-bllokut në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. I konsideruar "ushtari" i Ervis Martinajt, Eljon Hato mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal "Monopol", u arrestua nga policia, por pas disa kohësh u la i lirë.

Në 12 maj 2014, asokohe 24-vjeç, Hato u akuzua për vrasjen e Indrit Yllit gjatë një sherri banal në Zus të Shkodrës. Një vit më vonë kur ai ndodhej  në burgun e ShënKollit, Hato, u akuzua se porositi vrasjen e mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli, si hakmarrje për një shok që ishte plagosur nga djali i Terollit. 

Çfarë e shtyu Eljon Haton të paguante për kokën e mjekut? 

Në 2015-ën, djali i doktorit Agron Terrolli, kishte plagosur me armë zjarri pa leje një person duke e lënë të paaftë fizikisht dhe dënimin për këtë vepër penale e ka kryer në burgun e ShënKollit, ku qëndronte për të vuajtur dënimin edhe Eljon Hato. Policia u përqendrua asokohe në pistën e një hakmarrjeje të mundshme të Hatos ndaj djalit të mjekut. Ekzekutimi i mjekut dështoi falë ndërhyrjes në kohë të forcave të policisë që prej kohësh kishin nën vëzhgim 21-vjeçarin Osman Mulja, i paguar për të kryer vrasjen. 

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?