Agim Gjini, bashkëpunëtori i Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës për grabitjet me armë në Shijak është arrestuar nga policia e Durrësit. 49-vjeçari akuzohet për vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Emri i tij doli në operacionin ‘Plumbi i Artë’ nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili së bashku me Henrik Hoxhajn nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin, për të cilat Shqiptarja.com dhe Report Tv siguruan dosjen. Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, ka shkuar në 19 numri i të arrestuarve.
Grabitja me armë në 2013
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani rrëfen para prokurorëve të posaçëm se Dorjan Shkoza u kishte dhënë informacion se një person, i identifikuar si Astrit Ademi, mbante shumë para në një çantë gri. Dumani thotë se ai, Talo Çela, Agim Gjini dhe një tjetër person kanë thyer xhamin e makinës, kanë marrë rreth 20 mijë euro dhe janë larguar. Ndërsa makinar që vidhnin në atë kohë, i linin te garazhi i Agim Gjinit.
“Grabitja e radhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde. Dori e kishte informacionin se personi mbante lekë me vete në një çantë gri/valixhe. Emrin këtij personi nuk ia mbaj mend. Në këtë grabitje kam qenë unë Talo Çela, Agim Gjini i cili ishte topall nga Durrësi dhe personi me pseudonimin “………….”. Gimi ka qenë shofer me një Benz 2500 i vjedhur, ngjyrë blu, me targa të vjedhura. Makinat e vjedhura në atë kohë i linim tek garazhi i Gim Gjinit. Kanë zbritur Talo Cela me ………….. dhe servisi ndodhej në aksin rrugor Maminas-Vorë, servis kamionash. Kemi shkuar aty dhe kemi parë se kishte shumë njerëz. Talo Çela kishte në dorë automatik, unë s’kisha gjë, ndërsa …………… kishte dhe ai kallashinkov. Shkova tek makina e personit një C Class dhe theva xhamin e pasagjerit krahu i shoferit dhe kam kontrolluar makinën në brendësi. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 Euro të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar tek garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët. Me sa mbaj mend kemi marrë rreth 4500 Euro”, thuhet në dosjen e siguruar nga Report Tv dhe Shqiptarja.com.
Nga hetimi rezulton se më datë 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Vorë në pikën e grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit në pronësi të shtetasit Gëzim Mamiu, tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur shtetasit Astrit Ademi që kishte shkuar si klient me mjetin e tij të markës AA887CL, shumën prej 7000 euro dhe një aparat celular të markës samsung me dy karta që i kanë gjetur në xhep si dhe shumën prej 9000 euro, 760.000lek që i kanë marrë në bagazhin e mjetit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar brenda kësaj pike, automjeti Mercedez Benz me i cili është në pronësi të shtetasit Astrit Ademi, banor i Shijakut Durrës.
Nga këqyrja e këtij automjeti është konstatuar i thyer xhami i pasmë i krahut të djathtë. Po nga këqyrja e këtij automjeti janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 9 gjurmë papilare të emërtuara me germat përkatëse si dhe u morën sende për ekzaminime laboratorike. Është përpiluar vendim për kryerjen ekspertimit daktiloskopik vlerësues si dhe është marrë deklarim personit të dëmtuar e shtetasve të tjerë.