Silvester Driza, 30 vjeçari i shpallur në kërkim në Shqipëri nën akuzën e pastrimit të parave dhe kryerjes së transaksioneve fiktive me kompaninë që ka me koncesion inceneratorin e Fierit, është ekstraduar drejt vendit tonë.
Driza u arrestua në Gjermani në shkurt të këtij viti, ndërsa ekstradimi i tij u bë i mundur muaj më vonë. Ndaj tij GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale , “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Ai u shpall në kërkim në nëntor të vitit 2022 kur SPAK lëshoi 11 urdhër arreste të reja për inceneratorin e Fierit. Në dosjen e inceneratorit të Fierit, Silvester Drize përmendet si administrator i firmës 'Sili Sh.p.k' përmes së cilës Klodian Zoto ka krijuar një skemë pagesash fiktive. Por emri i tij është përmendur edhe më herët për çështjen e inceneratorëve.
Kompania ‘Sili’, krijuar në 23 shator 2016, me seli në Durrës, në emër të Silvestër Driza, i cili i ka shitur aksionet Agim Seferit, një tjetër emër i lidhur me Lefter Koka. Kjo kompani ka marrë nga dy kompanitë e inceneratorëve të Elbasanit shumat 112 milionë lekë ose rreth 1.1 milionë USD dhe 164 mijë euro, për kryerje punimesh, me fatura fiktive. Lëvizja e parave ka ndodhur në periudhën janar-mars 2017. Edhe ‘Sili’ më pas ka ‘blerë sheqer’ tek kompania ‘Sucralba’ e vëllait të Lefter Kokës, duke i dhënë 164 mijë euro. Më pas ‘Sili’ ka gjetur rrugë tjera për t’i kaluar paratë Kokës. Kompania ‘Sili’, sipas dosjes, merrej me shitje sheqeri dhe nuk rezulton të ketë kryer kurrë punime në Elbasan. Edhe kjo kompani është përdorur, sipas dosjes, nga Lefter Koka për të marrë paratë. Edhe kompania ‘Sili’ është pajisur me kasë fiskale dhe ka lënë një numër telefoni, i cili i përket Oligerta Osmanit, ekonomiste tek Kantina e Pijeve të Lefter Kokës.
Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.