Pas atentatit të 1 nëntorit 2019 ku mbeti i vrarë vetëm shoferi Andi Maloku, me një plumb në zemër, dhe të plagosur Aleksandër Laho dhe prokurori Arjan Ndoja, grupi i strukturuar kriminal, 5 prej të cilëve janë tashmë në pranga dhe 4 të tjerë në kërkim, kishte planifikuar një tjetër atentat për vrasjen e Aleksandër Lahos, apo Rrumit të Shijakut dhe prokurorit Ndoja.
Nuk ka detaje të plota për kur dhe si do të kryhej atentati, por janë pothuajse të njëjtën persona organizatorë dhe ndihmës, Plarent Dervishaj, Julian Meçaj, Ramazan Rraja, Dritan Shkëmbi, të katërt në kërkim nga SPAK dhe Endrit Sinani, tashmë i arrestuar në operacionin “Komploti”. Njëri nga katër personat në kërkim, dyshohet se ka qenë në rolin e atentatorëve, por emri i tij akoma mbetet mister.
Përmes përgjimeve dhe informacioneve të tjera në rrugë operative, të cilat kanë nisur menjëherë pas atentatit në mbikalimin e Shkozetit, SPAK mundi të zbulonte planin e personave të përfshirë. Pjesë e dosjes janë disa episode bisedash që tregojnë njërin prej të arrestuarve dhe të shpallurit në kërkim duke planifikuar atentatin tjetër, pas atij të 1 nëntorit 2019. Këtë të shtunë, në Gjykatën e Posaçme u dha masa për të arrestuarit Genti Ndërjaku, Marsel Deçka, Julian Pjetri, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani, të cilët do të qëndrojnë në burg.
Urdhër arrestet për operacionin “Komploti” janë firmosur që në muajin nëntor dhe disa të tjerë në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, por SPAK ka vlerësuar se duhej pritur, duke e mbajtur sekret operacionin. Prokuroria e Posaçme ka shpresuar se personat që ishin shpallur në kërkim mund të vinin në Shqipëri për festat e fundvitit, moment i përshtatshëm për të kryer ekzekutimin e arrestimeve. Por plani nuk ka shkuar siç pritej, asnjëri prej katër personave që sot janë në kërkim nga ka ardhur, çfarë ka detyruar SPAK të veprojë me arrestimin e personave brenda vendit, me frikën se mund të kryejnë ndonjë ngjarje tjetër kriminale.
Për kapjen e personave të tjerë, pjesë e grupit të strukturuar kriminal, SPAK, mbështetur nga BKH dhe forcat speciale RENEA, u bastisën 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, teksa u gjetën armatime, sende me vlerë, para dhe kontrata shit-blerjesh pronash. 4 ditë pas atentatit të nëntorit 2019, policia arrestoi në atë kohë Ariol Halilajn dhe Redjan Rrajën, të afër të deputetit socialist, me profesion mjek stomatolog i përfshirë edhe në rastin e Xhisiela Malokut, vajzës të lidhur me djalin e deputetit Rraja, Rexhepin, dhe që trazoi edhe ujërat e politikës pas dëshmive se ishte dhunuar prej tij.
Të akuzuarit dhe akuzat
Të arrestuar: Genti Ndërjaku alias Akili Ndërjaku (40 vjeç) që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka (38 vjeç), Endrit Sinani (29 vjeç), Julian Pjetri (45 vjeç) dhe Bashkim Haxhija (54 vjeç).
Të shpallur në kërkim: Julian Meçaj, Plarent Dervishaj që dyshohet se ndodhet në Dubai dhe Ramazan Rraja, i cili nuk ndodhej në shtëpi ditën e djeshme kur u ushtrua kontroll. Ata janë të tre jashtë vendit dhe po punohet me autoritetet e huaja për arrestimin e tyre. I katërti i shpallur në kërkim është identifikuar si A.SH. (alias D. Sh).
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Laho, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Atentati ndaj prokurorit Ndoja
Në vitin 2019 një atentat me breshëri automatiku iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoj pranë mbikalimit të Shkozetit. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi). i njohur si 'Rrumi i Shijakut', dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Akil Nerjaku, një prej të arrestuarve
SPAK kishte prerë urdhër-arrestet për pesë të arrestuarit për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe ‘Rrumit të Shijakut, që në muajin nëntor për një pjesë dhe disa të tjerë në fillim të dhjetorit. Burimë për Report Tv bëjnë me dije se SPAK i kishte prerë urdhër-arrestet, por ka pritur festat e fund vitit për të kryer ekzekutimin e tyre me shpresën se personat që figuronin jashtë vendit do të vinin në Tiranë dhe jo vetëm, gjë që nuk ka rezultuar kështu. Të njëjtat burime bëjnë me dije se një prej personave që pritej të vinte ishte një prej atentatorëve, emri i të cilit mbetet akoma mister.
Të arrestuar: Genti Ndërjaku alias Akili Ndërjaku (40 vjeç) që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka (38 vjeç), Endrit Sinani (29 vjeç), Julian Pjetri (45 vjeç) dhe Bashkim Haxhija (54 vjeç).