TIRANË- Dhoma Penale e Tiranës ka lënë ditën e sotme në burg Ilir Pajën, i arrestuar pasditen e së enjtes në Laprakë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. Mbrojtja e Pajës pretendoi në gjykatë se i ka mbaruar dënimi me arsyetimin se i janë bërë bashkim i dy dënimeve dhe se në 2011 ish-Gjykata për Krime të Rënda e ka dënuar edhe për krimet e kryera në Itali me 17 vite e 3 muaj burg.
Njësia speciale FAST Albania, e arrestoi në një lokal në Laprakë. 49-vjeçari nga Berati mendohet të jetë strehuar për një kohë të gjatë tek disa të afërm të tij në këtë zonë të Tiranës. Gjatë arrestimit policia i sekuestroi dhe një shumë prej 5 mijë eurosh. 3 muaj i janë dashur policisë të vërtetojë se personi që mbanin në përgjim, ishte i shumëkërkuari nga drejtësia italiane, i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe rrëmbim personi.
Paja ishte arrestuar në mars të vitit 2008 pasi mori përpara me makinë një efektiv të policisë kriminale në Tiranë që e njohu se përballë tij kishte të shumëkërkuarin. Pas gati 10 viteve në qeli, në nëntor të 2017-ës, Ilir Paja u lirua me kusht para përfundimit të dënimit nga çekiçi i gjyqtares Enkeleida Hoxha, me pretendimin se vuante nga një sërë sëmundjesh, probleme shëndetësore të vërtetuara me raporte mjekësore.
Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi, ngjarje që kanë ndodhur rreth vitit 2006. Me plotësimin e dokumentacionit në Shqipëri, Ilir Paja pritet t’i dorëzohet autoriteteve italiane.
Gati një dekadë më parë, Ilir Paja ai mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj. Së fundmi, Paja u largua nga burgu i “Fushë Krujës”, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm. Pas më gati 10 vitesh burgimi ai u lirua nga qelia në zbatim të një vendimi gjykate. Ishte Gjykata e Krujës ajo që pranoi kërkesën e tij për liri me kusht.