Bota

Mesazhi tronditës në rrjete sociale për vajzën e Melonit: I uroj të njëjtin fat si Martina! Kryeministrja italiane: Nuk është përplasje politike, por klimë e sëmurë

31 Maj, 16:59| Përditesimi: 31 Maj, 21:24

  • Share

“I uroj vajzës së Melonit të njëjtin fat si vajzës nga Afragola (e vrarë)”. Ky koment i bërë në rrjete sociale ndaj vajzës së kryeministres italiane Giorgia Meloni ka shkaktuar reagime të ashpra në skenën politike italiane.

Postimi, i bërë nga një person që pretendon se punon në ministrinë e Arsimit dhe Meritës, është denoncuar nga ‘Fratelli d’Italia ndërsa ministri Giuseppe Valditara urdhëroi verifikime të brendshme për të identifikuar autorin, raporton La Repubblica.

Personi që ka bërë postimin është identifikuar si Stefano Addeo, mësues gjermanishteje në një shkollë të mesme në provincën e Napoli. Pritet të verifikohet nëse profili ku është bërë postimi menaxhohej nga mësuesi. Vihet re se është një profil shumë aktiv, me foto dhe sulme të ndryshme, përfshirë ato politike, kundër qeverisë italiane dhe më gjerë.

Kryeministrja italiane reagoi ashpër duke e  quajtur ngjarjen si  një klimë të sëmurë dhe shprehje të një “urrejtje ideologjike të sëmurë” ndërsa bëri thirrje për unitet politik kundër dhunës dhe urrejtjes.

“Kjo nuk është përplasje politike. Nuk është as zemërim. Është diçka më e errët, që tregon një klimë të sëmurë, një urrejtje ideologjike, ku gjithçka duket e lejueshme, madje edhe të urosh vdekjen e një fëmije për të goditur prindin. Dhe është kundër kësaj klime të dhunshme që politika, e gjitha, duhet të dijë të bashkohet. Sepse ka kufij që nuk duhen kaluar kurrë. Dhe mbrojtja e tyre është një përgjegjësi që shkon përtej çdo përkatësie”, tha Meloni.

Reagime të ngjashme dënuese erdhën edhe nga figura të politikës italiane, por edhe nga motra e Melonit.

"Niveli i urrejtjes ndaj Giorgia Melonit dhe vajzës së saj është i papranueshëm. Solidariteti nuk mjafton më: tani na duhet një përgjigje shembullore", deklaroi kreu i grupit FdI në Dhomë, Galeazzo Bignami. “Kritika politike është një gjë, por urrejtja njerëzore, dhe aq më tepër ndaj fëmijëve, nuk mund të ketë të drejtën e shtetësisë”, shton ai.

Presidenti i Senatit, Ignazio La Russa e konsideroi të neveritshëm kërcënimin që tejkalon çdo kufi. Ai theksoi se urrejtja ndaj një fëmije është e papranueshme.

“I konsideroj të neveritshme kërcënimet e drejtuara ndaj vajzës së kryeministres. Nga ana ime, dënimi është i prerë për një akt të ulët dhe çnjerëzor, që tejkalon çdo kufi. Të shprehësh urrejtje ndaj një fëmije është diçka e papranueshme që ofendon ndërgjegjen dhe nuk mund të ketë asnjë justifikim, as në kundërshtimin më të ashpër politik. Mirë ka bërë ministri Valditara që ka urdhëruar menjëherë verifikimet e duhura të brendshme në Ministrinë e Arsimit për të sqaruar përgjegjësitë. Le të shkojë solidariteti im për kryeministren Giorgia Meloni dhe familjen e saj, dhe një përqafim i fortë e plot dashuri për Ginevrën”, deklaroi La Russa.

E motra e kryeministres italiane, Arianna Meloni, tha:  

“Sa gjatë duhet të durojmë? Deri ku duhet të arrijmë? Përballë kësaj barbarie të neveritshme, gjithë neveria e mundshme! Dënimi duhet të jetë i njëzëshëm dhe i fortë. Motrës sime Giorgia dhe mbesës sime, i dërgoj përqafimin tim më të përzemërt dhe mbrojtës”.

Nga opozita erdhi solidariteti i Partisë Demokratike me Pier Ferdinando Casini dhe senatoren Simona Malpezzi: “E pabesueshme se deri ku mund të arrijë urrejtja politike. Të sulmosh një fëmijë për të goditur nënën. Kjo nuk bëhet kurrë, nuk duhet bërë. Mbështetje për Giorgia Melonin për sulmet e ulëta dhe të pahijshme që kanë në shënjestër vajzën e saj”.

Vrasja brutale e 14-vjeçares Martina Carbonaro është e fundit në një sërë ngjarjesh të rënda ndaj femrave dhe vjen pak javë pas vrasjes së studentes shqiptare Ilaria Sula dhe Sara Sampanella.

Mesazhi në rrjete sociale për vajzën e Melonit

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Cilat duhet të jenë prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë Rama?