KOSOVË- Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është liruar nga paraburgimi në Hagë dhe u kthye ditën e sotme në Kosovë për shkak se të premten e kaluar atij i ndërroi jetë e ëma. Veseli u kthye në Mitrovicë tek familja e tij në masa të rrepta sigurie.
Ai fillimisht ka shkuar në varrezat në fshatin e Broboniq ku prehet e ëma dhe më pas është lejuar të vizitojë edhe familjarët e tij në Bair të Mitrovicës.
Veselit iu mundësua ardhja në Kosovë, sipas rregullores së Dhomave të Specializuara, e cila lejon lirimin e përkohshëm, nëse ekzistojnë shkaqe humanitare, një ndër to, vdekje e një familjari.
Të premten e 7 janarit nëna e Kadri Veselit, Ajshe Veseli ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare. Kujtojmë se më 7 korrik të vitit 2021 ka humbur jetën edhe Fazil Veseli, i ati i Kadri Veselit, por ky i fudnit nuk mundi të ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit.
Ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ai së bashku me ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.