SHKODËR- Një sasi e vogël tritoli është vendosur në ambientet e jashtme të një hoteli në fshtin turistik të Razmës, në Malësinë e Madhe.
"Rreth orës 08:50, në fshatin Razëm, dyshohet se është hedhur lëndë plasëse tek reklama, në afërsi të lokalit të shtetasit F. S. Si pasojë e shpërthimit të saj janë shkaktuar vetëm dëme materiale.Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje, për sigurimin e provave, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve", njofton policia.
Pronari i këtij biznesi, i cili ka pasur vetëm dëme materiale tek pjesa e reklamës është Fredi Sterkaj, emër i njohur në Malësinë e Madhe.
I angazhuar prej vitesh në politikë, Sterkaj u zgjodh tre ditë më parë kryetar i Rithemelimit në degën e Malësisë së Madhe, ne një proces ku 4 kandidatët e tjerë u tërhoqën nga gara.
Sterkaj, gjatë një komunikimi me telefon tha se lënda plasëse është vendosur në parkingun publik dhe jo në biznesin e tij. Sipas Sterkajt, shpërthimi nuk ka lidhje me pronën e tij dhe me familjen e tij. Parkingu është i fshatit turistik të Razmës dhe aty parkojnë, të gjithë, thotë Sterkaj.