VLORË- Ramiz Kutelaj, 42-vjeç ka rënë në pranga të policisë si autori i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e Artan Xhelilit, më 12 prill të këtij viti në lagjen Xhenio, Orikum.
Policia e Vlorës njofton se si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Ramiz Kutelaj, 42 vjeç, banues në Orikum, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv" dhe "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Kujtojmë se Artan Xhelili ishte i dënuar me 'arrest shtëpie' për trafikim të lëndëve narkotike, pasi kishte përfunduar dënimin më burg për të njëjtat akuza.
Artan Xhelili, 53-vjeç, është arrestuar nga policia e Vlorës në korrik të vitit 2020. Xhelili, banues në Dukat të Vlorës, përfundoi në pranga, pasi merrej me tregtim të drogave të forta në doza të vogla. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë, një pjesë të ndarë në doza gati për shitje dhe një peshore elektronike. Gjithashtu, gjatë kontrollit Policia i gjeti dhe sekuestroi 2000 euro dhe 300.000 lekë, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga ky aktivitet kriminal.