Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka raportuar në Policinë e Kosovës vjedhjen e 50 mijë eurove para të gatshme nga banesa e tij në Prishtinë.
Në orët e para të së premtes, më 24 qershor, Shkreta ka parë se i është vjedhur banesa në Prishtinë dhe për këtë ka njoftuar Policinë.
Burime të Kallxo.com brenda hetuesisë kanë thënë se gjatë intervistimit, deputeti Shkreta ka deklaruar se paratë që dyshohet se janë vjedhur, janë mbledhur për arsyen e larjes së një borxhi.
Sipas burimit, Shkreta po ashtu u ka thënë hetuesve se ato para janë mbledhur bashkë me disa familjarë të tij.
Rrahim Podvorica, prokurori i çështjes, i pyetur nëse Shkreta ka deklaruar se paratë kanë qenë të mbledhura edhe nga një bashkë familjar i tij, shkurtimisht ka deklaruar se “Nuk mund të jap detaje për shkak të hetimeve”.
Në raportin policor, deputeti i pozitës ka treguar se nuk kishte qenë në banesë që nga mëngjesi i datës 23 qershor, ditë e enjte.
Ndërsa kur ka hyrë në banesë, pak pas mesnate, ka hetuar se banesa iu është vjedhur dhe ka hetuar se nuk janë paratë.
Ai më të hapur banesën e tij, thuhet se e ka vërejtur se dikush kishte hyrë brenda dhe kishte vjedhur gjëra me vlerë.
Në raportin e Policisë thuhet se nuk kanë gjetur shenja se dera e banesës është hapur me forcë.
Dyshimet e Policisë janë se dera është hapur me çelës.
“Pala është intervistuar dhe dyshohet se i dyshuari ka hyrë në banesë me çelës për shkak se nuk ka dëshmi që është depërtuar me forcë”, thuhet në këtë raport të policisë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se me vendim të prokurorit rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”. “Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Vjedhja e rëndë’, si dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”./ Kallxo