Politikë

I vodhën votat brenda partisë, Kalaja dy kallëzime në SPAK: Prokuroria të sekuestrojë kutitë, të rinumërohet Durrësi! KAS-i shpërdoroi detyrën

22 Korrik, 09:28| Përditesimi: 22 Korrik, 10:19

  • Share

Kandidati i opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, që pretendon se i janë vjedhur votat nga brenda PD-së gjatë numërimit të parë, nuk dorëzohet në betejën e tij për drejtësi.

Aulon Kalaja dorëzoi sot (22 korrik) dy kallëzime në SPAK. Gazetarja Keti Banushi informoi se Kalaja i dorëzoi vetë kallëzimet: Një për hapjen e kutive në qarkun e Durrësit, tjetra për shpërdorim detyre të KAS-it dhe anëtarëve të tij, pasi nuk hapën kutitë e caktuara sipas vendimit që vetë morën në mbledhje.

Kandidati i PD-së, Aulon Kalaja, pas depozitimit të kallëzimeve foli edhe për mediat, duke u shprehur se ai nuk do dorëzohet në betejën e tij ligjore dhe për drejtësi vote.

“Isha këtu për të dorëzuar dy kallëzime penale. Sekuestrimin e kutive dhe rinumërimin nga SPAK dhe do vijoj betejën për legjitimimin në Gjykatën Kushtetuese. Nuk janë gabime njerëzore, gabime njerëzore janë kur lëvizin me 2 vota dhe jo me 42 vota. Numëruesit kanë bashkëpunuar me personin që i kanë kaluar votat, ka pasur raste, më janë hequr votat mua dhe i janë dhënë tjetrit, ka lëvizje të dukshme. Ndaj kam kërkuar sekuestrimin e kutive nga SPAK dhe rinumërimin, verifikimin edhe me pamje filmike, i kam edhe të shënuara me kuti këtu për t’ia vënë në dispozicion SPAK. Ka raste kur janë marrë nga PS, por edhe nga brenda koalicionit. Vota që më janë hequr mua apo kandidatëve të tjerë. Nuk do e lë këtë betejë, unë nuk dorëzohem. Unë nuk di as sa vota kam, KAS thotë ndryshe, KQZ ndryshe, në filmime dalin të tjera. Unë do e vijoj betejën edhe në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh kandidati i PD-ASHM.

Kalaja shpjegoi edhe procesin për denoncimin e parë ndaj Qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve, që e cilëson shkelje ligjore. SPAK ka kthyer përgjigje se nuk ka fakt penal, duke mos nisur hetime, por ai tha se do e ndjekë edhe më tej në shkallë të dytë.

“SPAK më ka kthyer përgjigje dhe sipas prokurorisë nuk ka fakt penal për faljen e gjobave, por prokuror është Altin Dumani dhe jo Ilirjan Celibashi, që është kryetar i KQZ. Prokuroria thotë se kemi pyetur KQZ dhe Celibashin dhe ai ka thënë se nuk ka shkelje ligjore për faljen e gjobave. Unë mendoj se janë përdorur resurset shtetërore para zgjedhjeve qëllimisht për të marrë vota. Vetë Celibashi e tha në një prononcim të tijin se po përdoreshin resurset shtetërore. Por unë do vazhdoj më tej, do e çoj në Apel nëse këta nuk binden. Falja e gjobave duhet të ndëshkohet”, u shpreh kandidati i opozitës për qarkun e Durrësit.

Kalaja pretendon se po të rinumërohen të gjitha kutitë në Durrës, me trendin e tjetërsimit të votave tek ish-prokurori i shkarkuar nga Vettingu, Arjan Ndoja, rezultati mund të përmbyset. Aktualisht ai e ka ngushtuar diferencën në rreth 900 vota.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?