Kronikë

I vodhi kredencialet e rrjeteve sociale dhe hapi llogari të reja me fotot e 23-vjeçares, arrestohet i riu në Tiranë

23 Shtator, 11:17| Përditesimi: 23 Shtator, 11:23

  • Share

Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se i ka vjedhur kredencialet e llogarisë në rrjetet sociale një 23-vjeçareje dhe më pas ka hapur profile të reja, duke përdoruar fotot dhe videot e së resë.

Policia bën me dije se 25-vjeçari është arrestuar në kuadër të operacionit “The ghost”. Ndërsa po ashtu ‘blutë’ bëjnë me dije se kanë sekuestruar edhe dy celularët ku u gjetën aktive llogaritë false në rrjetet sociale.

“Menjëherë pas kallëzimit të një 23-vjeçareje, se një shtetas i kishte vjedhur kredencialet e llogarisë së saj në rrjete sociale dhe kishte hapur llogari të tjera false, me fotot/videot e saj, nga të cilat e kanoste për t’i dhënë para, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Forcës së Posaçme Operacionale, nisën punën për zbardhjen e autorësisë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “The ghost”, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi B. K., 25 vjeç, banues në Burrel.

Në 2 celularët që iu sekuestruan të arrestuarit, u gjetën aktive llogaritë false në rrjete sociale”, informoi policia e Tiranës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

A.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?