Infermierja Ronida Hysa

I vodhi pacientit me COVID pas vdekjes 60 mijë lekë, i bllokohet licenca e ushtrimit të profesionit infermieres së Infektivit

27 Janar 2021, 10:34| Përditesimi: 28 Janar 2021, 11:28

  • Share

TIRANË- Urdhri i Infermierëve i ka bllokuar licencën e ushtrimit të profesionit, Ronida Hysës, infermieres së spitalit Infektiv e cila i vodhi 60 mijë lekë nga pacienti me COVID i cili vdiq. Lajmi është konfirmuar nga Urdhri i Infermierëve pas interesimit të Report Tv, i cili do të qëndrojë në fuqi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Më pas në varësi të asaj çka do të vendosin togat e zeza, Urdhri do të mblidhet sërish për të përcaktuar nëse do i hiqet ose jo përfundimisht licenca.

“Në kthim përgjigje të kërkesës suaj fillimisht Urdhri i Infermierit të Shqipërisë dëshiron të përcjellë me anën tuaj indinjatën dhe keqardhjen për sjelljen e patolerueshme nga ana e një infermiereje. Së dyti ju bëjmë me dije se me marrjen informacionit për rastin në fjalë menjëherë është mbledhur Bordi dhe me vendim nr. 4 të datës 26.01. 2021 në bazë të neneve 9 dhe 13 të Statutit të UISH vendosi  bllokimin e lejes së ushtrimit të profesionit, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës . Në përfundim të procesit gjyqësor dhe marrjen e vendimit të formës së prerë do të merret vendimi për heqjen me  ose pa afat të lejes së ushtrimit të profesionit të infermierit”, thuhet në reagim.

Hysa u arrestua një ditë më parë, pasi u vërtetua se ajo kishte marrë 60 mijë lekë nga pacienti që ishte i shtruar me COVID në Infektiv. 20 mijë lekë Hysa ia kishte marrë në kuletë, ndërkohë që 40 mijë lekët e tjera i kishte tërhequr nga banka, pasi djali i viktimës ia kishte dhënë në vete kartën ku dhe i kishte shënuar edhe pinin.

Kjo ngjarje është denoncuar nga i biri i të ndjerit, 25-vjeçari me iniciale F.D. pranë emisionit investigativ ‘Stop’. Sipas denoncimit të 25-vjeçarit, babai iu shtrua në spital më 22 Dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 Dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 20 mijë lekë, brenda së cilës ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin pin. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankomati ishin tërhequr 40 mijë me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit.

Bëhet fjalë për datën 25 Dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë pas këtij veprimi, më 27 Dhjetor babai i tij ndërroi jetë për shkak të COVID-19. Punonjësit e spitalit COVID- 2 i kthyen denoncuesit sendet personale të babait.

Ai vuri re se brenda portofolit mungonin 20 mijë lekë. Edhe karta e bankës së bashku me shënimin për kodin pin mungonte. Djali thotë se ka vënë në dijeni edhe infermieren, me të cilën fliste për shëndetin e të atit, por ajo ka refuzuar ta denoncojë këtë akt.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?