I vunë tritol me fitil në lokal, dëshmia e Noizyt: Isha në gjumë, kam pasur konflikt vetëm me Cllevion! Nuk akuzoj askënd pa fakte

9 Qershor 2022, 10:33| Përditesimi: 9 Qershor 2022, 22:07

  • Share

Nuk dëshiron të flasë drejtpërdrejtë me emra, por thotë se personi i vetëm me të cilin ka pasur konflikt është Cllevio. Reperi i njohur Rigels Rajku, Noizy siç të gjithë e njohin me emrin skenik, nuk ka folur gjatë para hetuesve që kërkuan dëshminë e tij pas vendosjes së një lënde plasëse në dy bizneset e këngëtarit në qytetin e Durrësit. “Kam qenë në gjumë kur ka ndodhur shpërthimi dhe nuk mund të akuzoj njeri pa fakte”, mësohet të jetë shprehur Noizy.

Po kështu burimi pranë komisariatit Durrës bën me dije se është pyetur edhe reperi i dëmtuar i cili ka qëndruar në pozita mohuese. Grupi i Cllevios nuk e ka marrë përsipër shpërthimin dhe nga hetimi i deritanishëm nuk ka ende asnjë të ndaluar. Grupi hetimor po heton kryesisht në konfliktin e fundit që pati me Noizy, i cili së bashku me grupin e tij dhunuan reperin Cllevio pranë një tjetër lokali në pronësi të tij në Durrës.

Për këtë ngjarje është angazhuar komisariati i policisë së Durrësit, e më konkretisht sektori i krimeve të rënda.

Burime nga ky komisariat bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme është vijuar me ekspertizën e vendit të ngjarjes nga ku është konkluduar se ndaj lokalit të këngëtarit është përdorur lëndë plasëse tritol e shpërthyer me kapsollë me fitil zjarrpërcjellës, pra me ndezje. Më pas lënda plasëse është hedhur mbi qepenin e lokalit butik ‘Illyrian’ duke shkatërruar qepenin e thyer xhamat e lokalit ‘Rigels Shisha Lounge’ mbi të si dhe xhamat e disa apartamenteve.

Më pas janë marrë filmimet e disa kamerave aty pranë por deri tani nuk ka pasur asnjë provë konkrete për shpërthimin me lëndë plasëse.

Para disa ditësh, Noizy dhe babai i tij u vunë në qendër të vëmendjes mediatike, pas një konflikti që patën ndaj, Clevio Serbiano, një personazh i njohur kryesisht për videot në rrjetin social "Tik-Tok" që gjithashtu merret me muzikë. Video teksa Noizy grushtonte të riun përpara lokalit të tij në zonën e Currilave, u publikua në rrjetet sociale, dhe policia i vuri në hetim në gjendje të lirë, babë e bir.  Sipas asaj që ka shkruar reperi në Instagram, gjithçka ndodhi pasi Cllevio me emrin e vërtetë, Kleviol Ahmeti, i ofendoi familjarët.

Por teksa zihej me Noizyn, Kleviol Ahmeti duhej të ishte në shtëpi, pasi Gjykata e Lushnjes kishte caktuar ndaj tij masë arresti shtëpiak për posedim të lëndëve narkotike dhe armë të ftohta pa leje. Ai është vënë në pranga menjëherë pas sherrit për thyerje të masës së sigurisë, ndërsa do të hetohet edhe për përplasjen me Noizyn.

36-vjeçari nuk është i njohur vetëm për këngët. Në vitin 2014, emri i Clevios, u përfshi në historinë e avionit Piper që u rrëzua në Divjakë teksa transportonte drogë dhe armë. Bashkë me pilotin Italian Giorgio Riformato dhe disa shqiptarë të tjerë, Cllevio u hetua dhe u dënua me 10 vite burg, por përfitoi ulje me 1/3 e dënimit pasi iu pranua gjykimi i shkurtuar, duke u liruar në vitin 2020.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?