IAIS miraton raportin për AMF/ Përputhshmëria me standardet ndërkombëtare në sigurime në masën 77.9%

14 Qershor 2023, 14:24| Përditesimi: 14 Qershor 2023, 16:26

  • Share

Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) ka miratuar raportin pëfundimtar të vlerësimit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, të hartuar nga Grupi i ekspertëve që mori në shqyrtim përputhshmërinë në 24 Parime Themelore në Sigurime (ICP). Procesi i vlerësimit të përputhshmërisë me ICP-të u krye nga anëtarë të IAIS-it, bazuar në Programin e Vlerësimit të Anëtarit dhe përfshiu aspektin ligjor e rregullator, pavarësinë institucionale, procedurat e licencimit, praktikat mbikëqyrëse dhe ato të vlerësimit të rrezikut, mbikëqyrjen e grupeve të sigurimit, etj.

Ky proces vjen pas atij të vitit 2014, të kryer nga FMN dhe Banka Botërore, në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), rekomandimet e të cilit u reflektuan në miratimin e Ligjit nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, si dhe ndryshimeve të ndërmarra në Ligjin nr. 9576, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

Komiteti Ekzekutiv i IAIS shprehu vlerësime për përparimin e shënuar nga Autoriteti, ku sipas raportit të Grupit të Vlerësimit rezultoi një nivel i lartë i përputhshmërisë me ICP-të, ku nga 24 parime bazë, 10 prej tyre rezultuan plotësisht të përputhura dhe 12 të tjera me një nivel të lartë përputhshmërie. Në vlerësimin e kryer në vitin 2014, vetëm një parim bazë rezultoi plotësisht i përputhur me standardet ndërkombëtare. Sipas përllogaritjeve, mesatarja e përputhshmërisë rezulton në masën 77.9%, krahasuar me 47.4% që ishte në vitin 2014.

Në veçanti, raporti nënvizon progresin e konsiderueshëm sa i përket kuadrit ligjor dhe  mbikëqyrës, pavarësisë institucionale të AMF, praktikave të licencimit dhe përshtatshmërisë së subjekteve, kërkesat për qeverisjen dhe menaxhimin e riskut, risigurimin, mbikëqyrjen efektive ndërkufitare, kuadrin ligjor kundër pastrimit të parave në sektorin e sigurimeve, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informacionit, si edhe transparencën.

“AMF ka ndërmarrë reforma të gjithanshme gjatë viteve të fundit, duke forcuar ligjin kuadër, si edhe rishikuar ligjet dhe rregulloret në tregun e sigurimeve. Progresi është udhëhequr nga objektivi i përafrimit me kërkesat e BE-së, si edhe nga rekomandimet e lëna në vlerësimin e bërë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2013,” thuhet ndër të tjera në raport.

“Aktiviteti rregullor i AMF-së karakterizohet nga objektiva të qarta, pavarësi insitucionale dhe burime të duhura. Ekziston një kuadër ligjor i zhvilluar për licencimin, veprimet e tjera rregullatore, si edhe kërkesat për përshtatshmëri. Ka një kuadër kërkesash për mirëqeverisjen dhe menaxhimin e riskut, përfshirë risqet që lidhen me risigurimin. AMF shkëmben informacion dhe bashkëpunon me autoritetet vendase dhe ato ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe në kuadër të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimit”, theksohet në dokument.       

Raporti i IAIS ka lënë gjithashtu disa rekomandime për AMF në kuadër të përafrimit me praktikat më të mira ndërkombëtare. Një prej tyre është avancimi drejt regjimit të mbikëqyrjes Solvency II, i aplikuar tashmë në të gjitha vendet e BE-së, si edhe vijimi i procesit të harmonizimit dhe përafrimit ligjor e rregullator me kuadrin evropian.  

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?