Ibrahim Rugova, misionari që mundi luftën me paqe

21 Janar 2023, 16:15| Përditesimi: 21 Janar 2023, 16:17

  • Share

Cercë, ku u lind Ibrahim Rugova, është fshat i vogël, në komunën e Istogut, në veriperëndim të Kosovës. Një muaj pasi u lind, komunistët jugosllavë i pushkatojnë babanë, Uk Rugova dhe gjyshin, Rrustë Rugova, luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Kjo ndodhi më 10 janar 1945. Ai u rrit nga nëna, në një familje pa dy burrat më të rëndësishëm të saj, natyrisht me një distancë të fortë ndaj komunzimit dhe nacionalizmit serb.

Jeta në një familje të madhe, pa gjyshin dhe babain, me xhaxhallarë që ndiheshin tani zotër të fisit dhe pronave të tij, përballë një gruaje mbetur pa burrë në moshë të re, ka lënë gjurmë të thella në karakterin e tij të ndjeshëm dhe në brumosjen e përjetshme kundër dhunës, si e vetmja mënyrë për të përballuar një autoritet përballë të cilit ndihesh i pafuqishëm.

Për shumë vetë që nuk shpjegojnë dot fanatizmin e Ibrahim Rugovës kundër dhunës dhe vendosmërinë për paqe, ka një shpjegim që e lidh atë me nënën e tij, e cila ka qenë gjithçka për të mbijetuar. Një herë në SHBA, në një darkë me Bob Dole, Rugova u çlirua në bisedë dhe i tha senatorit:

- Këtu në SHBA ndihem rehat, si te dajat. Ishte pak e vështirë t’ia përktheje senatorit legjendar pro Kosovës, çfarë rëndësie kishin “dajat” e atij burri të imët e paqësor që i krahasonte me SHBA e fuqishme. Në fakt, ishin e njëjta gjë. Dajat i kishte parë si garanci në kohën që rritej si fëmijë pa baba, se ishin vëllezërit e nënës, ndërsa SHBA e shihte si garanci për Kosovën, një vend në Ballkan si jetim përballë dhunës së Serbisë.

Ibrahim Rugova arriti të shkollohet në gjimnazin e Pejës më 1967, më pas diplomohet në Degën e Albanologjisë, të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, më 1971. Por formimi i tij thelbësor si akademik dhe kritik arti, u bë gjatë vitit akademik (1976-‘77) në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes, ku ndoqi interesat e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai mori Doktoratën në Letërsi në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Fillimet publike janë në shtypin e kohës, si redaktor në gazetën “Bota e re” të studentëve, në revistën shkencore “Dituria”, më pas në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si kërkues i letërsisë ku drejtoi dhe revistën “Gjurmime albanologjike.” Një nga shkrimet e hershme, i përket vitit të parë të arsimimit të tij si student. Më 28 nëntor 1968, në kulmin e lëvizjes politike për më shumë të drejta kombëtare në Kosovë, Ibrahim Rugova ka botuar esenë “Pavarësia kombëtare, 28 Nëntor 1912-1968.” Eseja është një deklarim i hapur i identitetit shqiptar të Kosovës dhe lidhja e saj me pavarësinë e Shqipërisë.

Kontaktet e tij me Shqipërinë gjatë komunizmit përmblidhen në disa vizita si shkrimtar, në vitin 1971, 1974 dhe në vitin 1980. Më pas, për shkak të demonstratave të vitit 1981, raportet me Kosovën u ndërprenë dhe Shqipëria u akuzua si nxitëse e tyre. Pavarësisht kësaj, Rugova bëri emër si intelektual që mbrojti vlerat e kulturës shqiptare duke hyrë në polemika dhe me pushtetin politik në Kosovë, luajal me Serbinë dhe intelektualë serbë. Rugova kundërshtoi heqjen e Ismail Kadaresë nga tekstet e shkollave për letërsinë shqipe nën arsyetimin se është shkrimtar nacionalist, duke kritikuar autoritet politike të Krahinës.

“Lexova në shtyp për vendimin e Pleqësisë Krahinore të Arsimit për heqjen e disa njësive dhe veprave nga letërsia shqipe në programet shkollore. Vendimi dhe informata nuk dilnin në formë të argumentuar dhe si të tilla, mendoj se ngjallin shqetësim në opinion. Është e natyrshme që programi shkollor të pasqyrohet me vlera të reja dhe të përparohet, por jo të cungohet duke u nisur nga teza aprioriste dhe politiciste, siç është rasti i heqjes së një vepre të mirë të Mark Krasniqit dhe gjithë krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Po të vepronim kështu, atëherë duhen hequr edhe shkrimtarë të tjerë, si bie fjala Andrićin, i cili më 1939, ka bërë një elaborat për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë, po ne e mësojmë, sepse me veprën e tij e ka tejkaluar personalitetin e tij qytetar dhe politik. Për vepra të shkrimtarëve të tillë, ne kemi nevojë.”

Më 1988, u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, prej nga nisi të shfaqet si një autoritet publik në polemikat me intelektualë të Serbisë dhe angazhimin për të drejtat e shqiptarëve. Në mars të vitit 1989, ndërsa Serbia po rrënonte gërmadhat e fundit që kishin mbetur nga autonomia e Kosovës, Ibrahim Rugova shkëlqeu jo vetëm për guximin intelektual, por dhe për qartësinë se nga duhet të shkonte fati i Kosovës. Ai është intelektuali i parë shqiptar i Kosovës që ka artikuluar tezën e shpëtimit të saj nga Serbia, duke u bërë një vend demokratik nëpërmjet një aleance të qëndrueshme me Perëndimin dhe duke rezistuar në rrugë paqësore, për t’i mbijetuar zhdukjes së popullsisë dhe copëtimit të Kosovës. Kjo ishte filozofia politike mbi të cilën u themelua LDK, e cila u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën parti e grupe të tjera.

Në intervistat e tij, në mars 1989, për agjencinë “REUTERS” dhe revistën gjermane “Der Spiegel”, Rugova ka bërë të qartë se Kosova ka të ardhme vetëm si shoqëri demokratike, duke detyruar Serbinë të respektojë të drejtat themelore të shqiptarëve dhe parimet e vetëqeverisjes. Kjo gjë nuk kaloi aq lehtë. Në qershor të vitit 1989, kur dalldia serbe për të ringjallur mitin e Betejës së Fushë-Kosovës, në 600-vjetorin e saj, po kthehej në fushatë linçuese ndaj identitetit shqiptar të Kosovës, Ibrahim Rugova u vu përsëri në qendër të sulmeve. Dhe përsëri shkak ishte intervista e tij e re në revistën “Der Spiegel”, ku theksonte se “serbët po vijnë sërish si hakmarrës.” Në intervistë Rugova hedh poshtë mitin serb të betejës së Fushë-Kosovës dhe thotë se ajo është një betejë e popujve të Ballkanit, serbëve, shqiptarëve, hungarezëve etj., pasi të gjithë ishin popuj të krishterë. Ai i konsideron festimet një dalldisje nacionaliste e shoviniste serbe dhe kërkon që shqiptarët të pranohen si qytetarë të barabartë, ose do të gjenin një shteg për të dalë nga kjo gjendje.

Ndaj intervistës pati reagim të ashpër politik. Kryesia e Komitetit Krahinor të Lidhjes Socialiste shqyrtoi intervistën e Ibrahim Rugovës në një mbledhje speciale dhe ndaj saj u mbajt qëndrim zyrtar, duke kërkuar përjashtimin e autorit nga Lidhja e Shkrimtarëve. “Në momentin kur forcat progresive të shoqërisë, të udhëhequra nga LK, e me këtë edhe Lidhja e Sindikatave të Kosovës, po bënin përpjekje për realizimin konsekuent të Konkluzioneve të KK të LK të Kosovës, KQ të LK të Serbisë dhe KQ të LK të Jugosllavisë, për stabilizimin më të shpejtë të gjendjes politike dhe të sigurisë në Kosovë, Ibrahim Rugova me paraqitjet e veta në mënyrën më të vrazhdë, tentoi që perms mjeteve të huaja të informimit ta paraqesë si diçka të shkuar dhe të dezinformojë opinionin ndërkombëtar, duke përhapur në këtë mënyrë të pavërteta, duke sulmuar vrazhdë politikën e LKJ dhe vëllazërim-bashkimin. Zaten, rruga e tillë e Rugovës është vazhdimësi e përhapjes së urrejtjes dhe ndarjes në mesin e kombeve dhe kombësive tona, nga pozitat e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.”

Reagoi ashpër dhe Kryesia e Lidhjes Socialiste të Kosovës. “Kryesia hodhi poshtë në mënyrë të vendosur dhe të ashpër sulmet e tilla në sistemin tonë, në politikën tonë, të gjitha të pavërtetat dhe rrenat e Ibrahim Rugovës. Për këtë shkak, Kryesia e LS të Kosovës kërkon nga Këshilli Komunal i IS të Prishtinës që Ibrahim Rugova të përjashtohet nga anëtarësia e Sindikatës dhe nga SHSHK, ndërkaq nga organet kompetente kërkon që të ndërmarrin të gjitha masat që këtij dhe të ngjashmëve t’u pamundësohet veprimi i mëtejshëm nga pozitat armiqësore.”

Por Ibrahim Rugova ishte tanimë i qartë sesi Kosova duhet të bënte diferencën me Serbinë. Diferencën e bënte demokracia. Ai e ktheu demokracinë në doktrinë të shpëtimit të Kosovës dhe Perëndimin në aleat të saj. Besimi i tij te rruga paqësore ishte gati fe, që i jepte qetësinë e duhur. Ishte si ta fitoje betejën me asgjë, duke pritur të gabonte kundërshtari. Kishte diçka çërçilliane te besimi e tij se shqiptarët mund t’ia dilnin edhe pse s’kishin asnjë mjet, veç shmangies së luftës.

Për gjashtëmbëdhjetë vite jetë politike, ai ndërroi tërësisht raportet e Kosovës me fqinjët dhe Perëndimin, çmontoi një sistem të tërë që prodhonte histori, politikë dhe vizion negative për shqiptarët. Kur ballkanasit e ish-Jugosllavisë rrëmbyen armët dhe nisën luftërat për pavarësi, në fillim të viteve ‘90, Ibrahim Rugogova arriti të izolojë Kosovën nga konflikti i përgjakshëm, me një kurajë dhe vizion që funksionoi. Ky vizion i dha Kosovës aleatë perëndimorë para fillimit të luftës, u dha shqiptarëve emër të mirë para përplasjes finale, i dha shoqërisë së Kosovës shanse për solidaritet para fillimit të masakrës, mbi të gjitha, i dha një orientim të ri çështjes shqiptare në Ballkan, duke e reformuar atë nga një çështje e pambyllur e “Bashkimit Kombëtar”, në një çështje të formimit të shtetit të Kosovës si shtet i pavarur.

Ky vizion po ashtu shpërbëri në pak kohë mitet serbe për Kosovën dhe çliroi energji të reja edhe në Serbi, për të kuptuar se Kosova nuk është beteja e tyre për jetë a vdekje. Ai ndryshoi edhe historinë e tyre. Nuk jam i sigurt nëse shqiptarët e Kosovës e pranuan si vizion apo si opsion projektin e Rugovës, por u pa qartë se në fund ata e pranuan atë si fat.

Ai nuk jetoi gjatë, por pati aq kohë sa të vdiste i pajtuar me të gjithë ata që i janë zemëruar gjatë jetës për rrugën e tij. Iku pak kohë para se shqiptarët ta preknin me dorë produktin e jetës së tij politike, pavarësinë e Kosovës.

Nuk jam i sigurt se shqiptarët zgjodhën Rugovën në fillim të viteve ‘90 për t’i përfaqësuar, por jam i sigurt se Rugova zgjodhi rrugën e duhur për t’i shpëtuar shqiptarët dhe për t’i bindur ata për shtegun që duhet të ndiqnin. Ndaj ata e pranuan si simbol. Në mes të viteve ‘90, Ibrahim Rugova ishte i vetmi njeri i qartë për paqen që po prodhonte. Brenda LDK, brenda Kosovës, por dhe në Shqipëri, duket se kishte një lloj paqartësie për fuqinë e rrugës së tij. Kishte presion për më shumë veprim dhe ndoshta për organizime klandestine ushtarake.

Misteri dhe simpatia që ato ngjallën në kancelaritë perëndimore, ishin të pashpjegueshme. Kancelaritë panë te kjo filozofi e thjeshtë mundësitë e një shoqërie për t’u vetorganizuar dhe sinqeritetin e një lideri pacifist. Këtë vizion nuk mund ta kishte kurrë një njeri normal, një shqiptar “me gjak” si gjithë të tjerët.

Kam frikë se askush tjetër nuk do të kishte zgjedhur rrugën që prodhoi fuqinë reale të shqiptareve nëpërmjet paqes. Për të përmbysur historinë që serbët kanë prodhuar për shqiptarët në Perëndim, duhen qindra katedra historie. Opsioni i Rugovës i bëri të pavlefshme ato. Ai nuk prodhoi, por provoi se shqiptarët dinë të bëjnë një histori tjetër nga ajo që është bërë për ta. Për të përmbysur fuqinë diplomatike të ish-Jugosllavisë në botë, duheshin dhjetëra kancelari aleate. Ibrahim Rugova fitoi mbështetjen jo vetëm të miqve të kombit shqiptar, po përmbysi vizionin e miqve historikë të Serbisë për shqiptarët dhe Kosovën. Për të mundur ushtrinë jugosllave, shqiptarët nuk do të mundnin dot edhe sikur të mobilizoheshin të gjithë si komb.

Por vizoni i Rugovës dhe aleancat, bënë që në dispozicion të kauzës së tij të vihej ushtria më e madhe e botës, NATO, pjesë e një prej tri fjalive për dhjetë vitet e para politike të Ibrahim Rugovës. Ibrahim Rugova është i pari që ka formuluar në mënyrë të sinqertë tezën për pavarësi të Kosovës. Prej Kongresit të Berlinit, në shekullin e 19-të, deri në mes të viteve ‘70, ëndrra e shqiptarëve ka qenë bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Opsioni i pavarësisë së Kosovës shihej realisht si hipokrizi.

Ibrahim Rugova është udhëheqësi i parë shqiptar që e ka këtë tezë të sinqertë. Ai e kishte të modeluar në vizionin e tij pavarësinë e Kosovës dhe punoi gjatë ta vizatonte atë për shqiptarët. Ka shumë histori vulgare me simbolet e tij, me gurët që dhuronte dhe flamujt që qëndiste, me himnet që prodhonte dhe traditat kosovare që donte të ringjallte, por kjo vinte pikë së pari se në atelienë e tij politike, modelohej sinqerisht një Kosovë e pavarur.

Për shumë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë, ky është një opsion politik, por jo i sinqertë. Për Ibrahim Rugovën, ky ishte një opsion i sinqertë. Ai e respektonte Shqipërinë, po kurrë nuk bëri asnjë gjest të provonte se ishte nën ndikimin e saj. Ai ishte një indipendentist natyral që reformoi platformën e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Ai prodhoi një histori të re për çështjen shqiptare. Ai prodhoi Kosovën e pavarur dhe rikonfigurimin e interesave shqiptare në Ballkan.

Rugova po ashtu prodhoi dhe një histori të re të lidhjeve shpirtërore të Kosovës me Perëndimin. Përkushtimi i tij ndaj vlerave kristiane të Evropës, toleranca e tij proverbiale ndaj kundërshtarëve dhe sinqeriteti i tij i pozimit para ikonës së Nënë Terezës dhe Papës, e ktheu çështjen e aleancës së Kosovës me Perëndimin, në betejën e tij të re. Në asnjë shoqëri, imponime të tilla si ajo që Rugova i bënte shoqërisë së Kosovës, nuk do të kalonin pa probleme. Në asnjë shoqëri me shumicë myslimane, predikimet për konvertim në katolicizëm dhe shkuarja drejt rrënjëve kristiane të Evropës, nuk do të kishte kaluar pa probleme për një lider. Për Ibrahim Rugovën këto kaluan jo vetëm pa probleme, por me një misticizëm që ka çarmatosur çdo zë kundër tij. Ky dimension e bëri atë po ashtu një lider të pranueshëm edhe për qytetarët joshqiptarë të Kosovës. Ai është lideri i pranuar nga Kosova që vizatoi në mendjen e tij.

Për vite të tëra, sa herë kam pasur rastin ta takoj dhe të vizitoj si gazetar miqtë dhe armiqtë e tij, nuk kam dëgjuar asnjëherë të pranojë të shprehet për kundërshtarët, për kritikët dhe ata që e sulmonin. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992, ishin “letrat” e para të shtetit të Kosovës.

Vdekja në janar të vitit 2006, e pengoi ta prekte me dorë pavarësinë formale të Kosovës, por funerali i tij madhështor, ku morën pjesë gjithë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, SHBA dhe vendeve të tjera të rëndësishme të botës, ishte në fakt dita kur bota pranoi misionin e Ibrahim Rugovës dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës ia la si shall në shtëpinë e tij të përjetshme në Kosovë!

*Marrë nga libri “Republika e Parë”

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • GOLI: 21/01/2023 17:04

    LLAFOSJA-MISIONAR I PAQES...( ) POR...NE MISIONIN E IBRAHIM RUGOVES-SERBI SHQIPETATET I VRISTE,BENTE MASAKRIME,BURGOSJE ,PERDHUNIME NE MES TE RRUGES BENTE NDERHYRJE FIZIKE DUKE I QENDRUAR GADITUR,BENTE BASTISJE ETJ.....DO ME THENE NE MISIONIN E TIJ SHQIPETARET QENDRUAN TE PPOSHTERUAR NE TERE HAPSIRAT E JETES....IBRAHIM RUGOVA U MOR PENG NGA SERBET DHE DOLI GJALLE!!!!!! PATRIOT SHQIPETAR I BURGOSUR I ÇETNIKEVE DHE IA DEL I GJALLE!!!!!!.......

    Përgjigju
    • Astro: 21/01/2023 21:46

      Nje here nee100 vjet lind një Burrrrr i madhë si Ibrahim Rugova Aiiiiiiiiii do mbetet ne zemrat e Shqiptareve

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?