Seanca e djeshme stërvitore e Paulo Fonsecës në 'Milanello' filloi më vonë se sa ishte planifikuar, pasi Zlatan Ibrahimovic mbajti një takim të gjatë me lojtarët në dhomat e zhveshjes.
Skuadra kuqezi pritej të fillonte stërvitjen rreth orës 11:30 në mëngjes, por Ibrahimovic mbërriti në Milanello rreth orës 11:00 dhe shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes për të biseduar me lojtarët e Milanit.
Për këtë arsye, lojtarët dolën për stërvitje disa minuta më vonë se sa ishte planifikuar, në përgatitje për Derbin e Madonninës kundër Interit, të dielën në orën 20:45.
Situata për kuqezinjtë dhe trajnerin e tyre Paulo Fonseca po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe raportet tregojnë se ai mund të humbasë vendin e punës nëse nuk arrin një fitore ndaj Interit në fundjavë. Igor Tudor shihet si zëvendësi i tij.