ID, diplomë e 2 foto me vete/ Nis sot regjistrimi i maturantëve në fakultete! Arjan Xhelaj: Mos u dekurajoni, ruani degën e preferuar në kohë reale

29 Gusht, 15:34| Përditesimi: 30 Gusht, 11:27

  • Share

Maturantët fitues në universitetet publike dhe private, nga data 30 Gusht deri më 13 Shtator, nëpërmjet 7 fazave 48-orëshe, do të mund të regjistrohen në fakultetet përkatëse.

“Nga sot fillojnë fazat 48 orëshe dhe maturantët të cilët janë fitues, do të bëjnë regjistrimet. Ata maturantë që kanë fituar një degë, por janë në mëdyshje dhe duan të presin një degë më të mirë këshillohet që të ndjekin garën në kohë reale tek U-Albania. Nga ecuria e viteve të kaluar kemi 3500 deri në 4000 mijë maturantë që regjistrohen në fazën e parë. Nëse duan të regjistrohen, kanë 48 orë në dispozicion, përndryshe e humb të drejtën aty deh kjo e drejtë ju kalon maturantëve në pritje. Duke patur se ka më shumë kuota dhe numri i maturantëve ka një rënie të lehtë, shanset janë të larta. Kanë qenë 19 713 maturantë që plotësuan formularin A2 .Nga eksperienca, rreth 75% e tyre regjistrohen që në raundin e parë. Gjithsesi edhe ata maturantë që regjistrohen në raundin e parë dhe e shohin që ka ende kuota të lira në programet që ata dëshironin të regjistrohen, mund të çregjistrohen”, tha drejtori i RASH, Arjan Xhelaj.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj, tha se regjistrimet mund të bëhen duke u paraqitur fizikisht në sekretaritë mësimore të fakulteteve, ndërsa me vete fituesit duhet të kenë ID, diplomën e shkollës së mesme, listën e notave dhe 2 fotografi.

“Duhet të paraqiten vetë pranë fakultetit me ID dhe dokumentet përkatës dhe bën regjistrimin në fakultet. Me të mbaruar regjistrimin hyn në “databaze” e universitetit dhe pritet të fillojnë studimet akademike”, tha Xhelaj.

Pjesë e garës janë bërë rreth 19.700 maturantë, ndërsa Xhelaj u bën thirrje të mos dekurajohen pasi ka ende shans për ta.

“Maturantë që në fazën e parë nuk janë fitues, mos të dekurajohen. Të presin garën dhe me fillimin e regjistrimeve dhe lëvizjen e vijës së kuqe shfaqet ngjyra e verdhë dhe në fazën e ardhshme ata mund të shpallen fitues”, tha ai. 

Ndërkohë, ata që janë me mesatare nën 6.5, kanë mundësi të regjistrohen në programet profesionale 2-vjeçare.

“Ata që kanë aplikuar dhe kanë notë 6.5 vazhdojnë në programet 2 vjeçare. Kemi pasur rritje të kërkesës për programet 2 vjeçare. Ishte mbi 10% e maturantëve që kishin aplikuar së paku për një program 2 vjeçar. Marrin një diplomë 2 vjeçare dhe e kanë më të thjeshtë që të futen në tregun e punës”, përfundoi Xhelaj.

Edhe këtë vit degët më të preferuara mbeten ato të Inxhinierisë Informatike, Mjekësisë dhe Ekonomisë.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?