Ashtu edhe siç e kishte paralajmëruar një javë më parë në studion e Report Tv, se kishte edhe “7 dosje të tjera si Partizani” që do çoheshin në SPAK, avokati Idajet Beqiri konfirmoi se bëri një tjetër kallëzim në SPAK për Berishën, vajzën dhe dhëndrin.
Ditën e sotme (5 Shkurt), ai foli për detaje nga kjo çështje, shifra, rrethana dhe emra, në “Studio Live”, të moderatorit Arbër Hitaj, tashmë që edhe dosja u regjistrua nga Prokuroria e Posaçme.
Lidhja me Damir Fazlliç e Vojin Lazaroviç, akuzat për pastrim parash, miliona euro nga off-shore te studio e familjes Berisha, afera e tokave në Porto Romano dhe si u përfituan 1.1 mln euro. Këto ishin disa nga tematikat e trajtuara në studio.
Gjithashtu u diskutua për aferën ‘Partizani’ dhe çfarë pritet për Berishën dhe dhëndrin. Një tjetër i ftuar në studio ka qenë edhe analisti Arben Meçe, që ndau mendimin e tij për këto çështje të nxehta të politikës, drejtësisë dhe më gjerë.
Beqiri jep detaje nga dosja e denoncuar dhe regjistruar tashmë në SPAK, për lidhjet e familjes Berisha, korrupsioni, pastrimi i parave me Damir Fazlliç dhe Vojin Lazareviç.
“Ky kallëzim penal faktikisht është në kuadrin e kallëzimeve të tjera që kemi bërë më parë, por kjo, nga çdo lloj pikëpamje e konsideroj tepër të rëndësishme, sepse nuk është vetëm korrupsioni i qeverisë Berisha, por i vënies në pozicion korrupsioni të të gjithë familjes së tij, duke e përfshirë, kjo është më e madhe dhe e rëndë me vepra penale. Se është e para aferë e rëndë korruptive, që ka në radhë të parë atë që një shtet i huaj armik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, prej kohësh e kanë kapur Berishën dhe familjen e tij, i kanë kompromentuar rëndë ata, me lekë dhe të tjera, e kanë futur në shërbimin e tyre t’u shërbejë interesave antikombëtare dhe me aferat korruptive kanë arritur të kenë përfitime të mëdha. Berisha ka marrë para nga kriminelët serbë. Më e rënda është se nëse ne do kishim një Shërbim Kombëtar serioz, si në vendet e BE-së, me standarde, këto vepra penale nga eksponentë të botës kriminale si Lazarovici, besniku i Millosheviçit dhe një oligark rus që ndiqet nga agjenci të huaja perëndimore si i rrezikshëm, apo edhe Fazllic që i shërbeu dhe ishte njeriu i afërt i Millosheviçit, janë këta që e futën Berishën në këtë lojë, bashkë me Arkanin, që nga viti 1992-1993, që në kohën e Bullatoviç në Malin e Zi, që ishte ende federatë e Serbisë.
Më tej ai shpjegon edhe lidhjet e ish-kriminelit famkeq me Berishën, pikërisht nëpërmjet dyshes Lazareviç-Fazlliç.
“Arkanin e dimë se në Kosovë ka bërë gjenocid të paimagjinueshëm. Berisha është mbajtur me paratë e Lazareviçit dhe Fazlliçit, si pjesë e tyre, si agjentë të serbëve, këta e organizuan takimin që bëri me Bullatoviçin, thyen embargon e armëve dhe karburanteve dhe e çuan masivisht për makinerinë e Millosheviçit. Këta e futën Berishën në lojën antikombëtare dhe kundër Kosovës. Shqiptarët dhe SHBA e kanë të qartë dhe e konsiderojnë Berishën si njeriu që theu embargon e NATO-s. Këta i kanë futur hundët thellë edhe në Kosovë, Lazareviç dhe Fazlliç, edhe të Argita Berishës dhe Lulzim Bashës në Kosovë, në punësimin që OKB-ja u bëri atje”, shton ai.
Dhe në këtë pikë, avokati ndan mendimin që gjithçka ka qenë e organizuar dhe paramenduar nga ky grup personash, duke përfshirë edhe Lulzim Bashën.
“Ndaj themi se nuk kemi shërbim informativ kombëtar, sepse Argita merrte rreth 66 mijë euro në muaj (800 mijë në vit) duhet të jesh superagjent i madh i shërbimeve të huaja të botës. Këto pagesa nuk i them kot, se të marrësh këtë pagë të lartë atje dhe sa vjen Berisha në pushtet të shkëputesh nga atje bashkë me Lazarevic, Fazllic, Jamarbrin, Lulzimin e të vish në Tiranë, dhe hapën ato shoqëritë apo firmat ligjore me Flutura Kolën dhe duke kaluar me tendera milionash, në Porto-Romano etj. Mbushte arkën Fazlliçi të Argitës dhe pasi mbushej, Berisha firmoste dhe kalonte ato VKM-të e tij”, shpjegon ai.
Por jo vetëm kaq, pasi në pah del edhe skema e pastrimit të parave dhe korrupsionit me planin strategjik të Porto-Romanos nga Fazlliç dhe Argita, ku Berisha e ndihmonte me VKM dhe tenderë, e deri tek futja e Fazlliç te mbledhja e Këshillit të Sigurisë.
“Këta të tre iu vërsulën Porto-Romanos dhjetëra hektarë atje, ua morën fshatarëve me çmim të ulët, me 9 euro të qindra hektarëve, ia dhanë Fazlliçit me dyfishin e çmimit dhe mbushi me para të tjera që i pastronte bashkë me Lazareviçit dhe me këto investime bënë administrator kunatin e Lulzim Bashës, pasi këtu kishin një “lopë të madhe” të Sali Berishës. Pasi Fazlliç mori tokat, hyri në lojë Berisha, që këto toka që ishin jashtë kufijve të përcaktuar të projektit të Porto Romanos, që në kohën e Fatos Nanos, e përcaktuar se sa do ishte zona industriale, teksa Berisha i futi në zonën industriale këto toka të Fazllicit, me VKM, duke ia shumëfishuar vlerën atyre tokave. Nuk është vetëm kjo, por Lazarevic-Fazllic pastruan para të pista në Shqipëri dhe e mbajtën me të ardhura të jashtëzakonshme Berishën, me mandat-pagea e fatura që ia kam çuar SPAK janë 5 milionë euro që ka marrë Argita. Kurse Berisha-Lazarevic u ka dhënë atyre 106 mln euro tenderë, përveç kërdisë së tenderave të energjisë elektrike, apo deri te tenderë të sigurisë kombëtare që nuk kishin lidhje fare me këtë. Madje edhe Bojaxhiu atëherë ka bërë raport për Parlamentin për rrezikun që i vinte vendit, duke dhënë alarmin, se arriti në 50% të kontrollit të energjisë në Shqipëri që e kishte marrë Serbia”, tregon avokati.
Beqiri tregon edhe për dy episode të tjera abuzimi ligjor nga Berisha me VKM në favor të lidhjeve të vajzës së tij, kundrejt pagesave të konsuderueshme në euro.
“Pastaj sa veprime janë kryer me off-shore në Qipro, sa morën Argita me ndihmëset e tyre, si u mbyll në 2013, me sa u mbyll kjo llogari. Afera Partizani për SPAK është një sukses që e çoi në Gjykatë, por kjo është edhe dhjetë herë më e rëndë se kjo e Partizanit. Por janë edhe 6 afera të tjera më të mëdha se kjo e fundit me Lazareviç-Fazllic, ku bëhet fjalë për miliona euro qarkullime e pastrim parash me studio ligjore te Argita, që Berisha më pas ua jepte tendera këtyre persona. Rasti tjetër kur Argita mori 160 mijë euro për TEC-in e Semanit dhe menjëherë Berisha bëri VKM-në. Ose një tjetër rast ishte pagesa e 65 mijë eurove nga një shoqërim private Union Eolika, duke lëshuar menjëherë vendimin për të, me autorizim ndaj shoqërisë, se do investonte 200 mln euro. Por kur filloi ky investim iu kërkuan miliona euro nga Argita Berisha dhe ajo e la fare këtë projekt dhe iku”, thotë ai për Report TV.
Teksa në fund shprehet se Berisha ka kryer vepra të rënda penale, deri edhe të spiunazhi dhe interesat antikombëtare.
“Këtu ka shpërdorim detyre dhe pastrim parash të pista. Kryesori është Sali Bberisha që i ka shoqëruar dhe ndihmuar me VKM të gjitha këto afera. Kemi edhe krim ndërkombëtar të organizuar. Por kanë rolin e vetë në këto raste edhe Genc Ruli e Lulzim Basha, sepse janë shitur te të huajt, janë bërë spiun të tyre, por edhe agjentët serbë që përfituan nga Saliu dhe punuan me të dhe janë vepra të rënda të Kodit Penal që rrezikojnë dënimin e tij me burg”, thekson ai.
Sali Berisha nuk e heq dot ‘non gratën’ as në SHBA dhe as në Britani. Për të arritur këtë ka vetëm një mënyrë, që të merret një vendim personal nga presidenti Donald Trump, pa u këshilluar me institucionet që e kanë vendosur atë masë, të cilat gjithashtu kanë dhe kompetencën për propozimin e heqjes ose jo të saj.
Kështu shprehen në “Studio Live” të Report TV dy të ftuarit, analisti Arben Meçe dhe avokati Idajet Beqiri.
Për ta Berisha ka bërë veprimtari antikombëtare, sepse ‘non grata’ nuk është vendosur vetëm për shkaqe korrupsioni. Ai dhe familja e tij kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe deri Amerikës, akte për të cilat SHBA dhe Britania kanë një dosje të kopsitur dhe mbi këtë bazë është vendosur masa e nisur që 9 vite më parë si procedurë.
Për Meçen është e qartë, se ‘non grata’ ndaj Berishës nuk është filozofi politike, por ka të bëjë me cenimin e sigurisë kombëtare. Kurse për Beqirin, jo vetëm që ish-kryeministri nuk ka shanse ta heqë ‘non gratën’, por me veprat që ka kryer ai 'e ka të sigurt vendin te Burgu 313 dhe dënimin e përjetshëm'.
Meçe thotë se Berisha dërgoi Belind Këlliçin në SHBA pikërisht me qëllimin që të lobonte me para heqjen e non gratës, por nuk do që t'i dalë rrjedhja e parave tani, ndaj shprehet se do presë administratën e Trump.
“Sali Berisha nuk po bën lobim në Amerikë se administrata Trump nuk është formuar ende. Belind Këllici nuk shkoi kot në SHBA ku mori pjesë në fushatë, për heqjen e non grata në SHBA. Kjo nëpërmjet rrjedhjes së madhe të parave. Por Berishës nuk i intereson që të dalë kjo rrjedhje parash. Ndaj ai pret reagimin e administratës së re apo pritja e një deklarate nga SHBA, teksa së fundmi edhe Britania e rimbështeti SPAK dhe drejtësinë, ndaj edhe ai thotë se nuk po loboj, se pret ndonjë deklaratë nga ambasada e SHBA. Nuk është sekretari i shtetit që heq non gratën apo e vendos, por janë institucionet poshtë tij që vendosin këtë në bazë informacioni dhe analize. Janë CIA, FBI, DEA etj., që kalojnë protokollin dhe përcjellin këtë gjë. Pra është e pamundur që të merret vendim i menjëhershëm për ta hequr nëpërmjet këtyre institucioneve me një firmë. Pra duhet të kalojë në rrugë institucionale. Çështja e Berishës nuk është vendimmarrje politike. Mënyra Protokollare e heqjes së non gratës është e përcaktuar, se koha nuk premton deri në zgjedhje për ta hequr nëpërmjet institucioneve të pavarura atje”, shprehet Meçe.
Më tej analisti shpjegon të vetmin opsion se si mund të hiqet kjo masë, edhe pse e quan gati të pamundur nga ana e një vendi si SHBA, duke parë edhe historinë dhe praktikat e mëparshme. Dhe pse mendon se Berisha ka cenuar sigurinë kombëtare, madje ndërkombëtare, ndaj edhe iu vendos ‘non grata’ familjarisht.
“Tjetra është një deklaratë e mundshme e ambasadës së SHBA-ve në kuadrin e zgjedhjes dhe në prag të administratës së re të Trump. Them se do ketë shumë debat për këtë gjë, ndoshta një marrëveshje nën tavolinë Trump-iane, me termin ‘e vendos unë këtë’, kjo është çështje tjetër, por sipas protokollit kjo nuk mund të bëhet kaq lehtë. Non gratën e Berishës e kanë vendosur organet e sigurisë kombëtare amerikane, ai është një filo-rus. Filozofia e vendosjes së non gratës apo heqjes së saj nuk është politike, por e sigurisë kombëtare. Ai është element i rrezikshëm edhe për sigurinë e SHBA-ve, ndaj e kanë futur në listë, jo vetëm për korrupsionin, por për sigurinë, ka të gjithë familjen, problemi është më i madh, është gjeopolitik dhe i sigurisë. Nuk merren SHBA-të me gocën e Berishës, por ka diçka tjetër pas, më e thellë. Vetëm analizën e Fazllicit të bësh dhe e kupton, hyrja në Këshillin e Sigurisë së Shqipërisë me leje të Berishës, kur dihej se ai ishte lidhje e spiunazhit serb, e kupton se Berisha është rrezik për sigurinë kombëtare. Unë mendoj se SPAK ka dhe do ketë mbështetjen e mëtejshme të amerikanëve”, shpjegon ish-deputeti.
Kurse për avokatin Idajet Beqiri, ish-kryeministri Sali Berisha mund të ketë para pa fund, por ‘non gratën’ nuk e heq dot, sepse ajo është vendosur me një dosje të kopsitur. Madje thekson se ai e ka vendin te Burgu 313 dhe është për burgim të përjetshëm.
“Për non gratën e Berishës ka prova të pakontestueshme, aq sa përfundon në burg përjetë, me ato që i përmendi Britania atij. Ai vazhdon me lobimin e tij dhe pagesën e parave. Ai loboi me para për të hequr non gratën. Non Gratën e Berishës e ka përgatitur administrata e Trump dhe Biden e mori të kopsitur dhe vetëm u firmos nga sekretari amerikan. Ai është bashkë me familjen e tij aty i përfshirë si non grata. Sado i fuqishëm është financiarisht është ai, është e vështirë me këtë dosje që ta kthejë. Sepse me lekë ai të thyen kokën, bën vrasje, ble vrasje me pagesë, me ato që administron, por problemi është që edhe këto faktorë si Amerika apo Britania, sado çudira të bëjë Trump, ai është i bindur se vendimmarrjet do jenë në harmoni me atë që prodhohet dhe që ka vuajtur populli shqiptar, 1997, Gërdecin, 21 Janarin, skemat piramidale, krimet e tjera. Nuk i hiqet non grata, e ka marrë vulën e krimit në ballë”, thotë avokati.
Teksa më tej shpjegon se Berishës i janë hapur këto dosje aktuale, por pritet t’i hapen edhe të tjerat në proces, duke kujtuar Gërdecin apo vrasjen e Haklajve në Tropojë.
“Duke parë se Gërdeci është hapur, me djalin e tij dhe me vajzën e Fahri Balliut atje. Ai është me 21 Janarin, pas vendimit të Strasburgut, ku është urdhëruesi i vrasjes së protestuesve. Apo i krimeve në Tropojë, i vrasjeve të Haklajve, të paktën ka 7 të vrarë atje, por edhe i krimeve të tjera. Ndaj edhe SHBA-të kur shikojnë për një njeri të stigmatizuar nga populli shqiptar në gjithë këto që ka bërë, është e vështirë. Ai e ka vendin te Burgu 313, me dënim të përjetshëm”, përfundon Beqiri.
Analisti Arben Meçe ndau detaje interesante në “Studio Live” për lidhjet familjare dhe miqësore të Damir Fazlliç me familjen Berisha, aktiviteti i tij i spiunazhit dhe lidhja e Berishës me Arkanin nëpërmjet tij.
Këto miqësi dhe aktivitetet të dyshimta deri antikombëtare u forcuan edhe më tej, pas embargos së naftës për Serbinë, deri tek futja në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, përfshirja në bizneset e Porto-Romanos, skemat e korrupsionit, tenderët dhe pastrimi i parave.
Rrëfen edhe se si Berisha sabotoi dhe bëri akte antikombëtare me linjën e interkonjeksionit të Shqipërisë, duke i shërbyer Serbisë.
“Fillimisht të flasim për Arkanin. Serbia nuk punoi fillimisht me ushtri në Bosnjë dhe Kosovë. Punoi me grupe paramilitare, që janë agresive, shkelin konventat dhe gjithë agresivitetin e menaxhonte nëpërmjet Arkanit. Ky nuk merrte dot financime nga shteti, por bëhej vetëfinancimi, pasi qeveria e Beogradit kontrollohej. Dhe mënyra më e mirë si të financohej Arkani ishte trafiku i naftës. Nga Shqipëria në Malin e Zi dhe drejt Kosovës e Serbisë bëhej nga Arkani. Ky ishte mekanizmi dhe baza e marrëveshjes. Në Shqipëri u krijua struktura e “Shqiponjës” nga PD-ja, si mekanizëm dhe strukturë biznesi. Këtu hyn edhe Fazlliç me Lazareviç, ajo që thotë edhe avokati Beqiri. Nëpërmjet SHIK u provuan edhe korridore nga Shqipëria për në Malin e Zi dhe këtë e kontrollonte Arkani. Pra Arkani financohej nëpërmjet furnizimit me naftë nga Shqipëria. U thyen rezolutat e asaj kohe, embargot e vendosura. Por kjo situatë dhe linjat që për pak sa nuk kaluan edhe në luftë civile, edhe pse UÇK ishte aktive, shkaktuan edhe një dëshmor siç e dimë, Remzi Hoxha, që zbuloi lidhjet e tyre, duke përfshirë edhe Berishën dhe SHIK. Shkak i vdekjes së Remziut ishte pikërisht lidhja e Berishës me Arkanin”, rrëfen analisti në studio.
Për Meçen kulmi i veprimit të Berishës ka qenë futja e Fazlliç në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pa certifikatën e sigurisë dhe kur njihej si një agjent serb. Por qëllim sipas tij ka qenë imponimi i biznesmenit serb, mik familjeje i vjetër i tij, në projektet e reja investuese që kishin në plan, si Porto-Romano dhe pasurimi i mëtejshëm i dy palëve.
“Fazlliç e dimë se kishte lidhje familjare me UDB-në dhe madje lidhje të forta në Shqipëri me familjen Berisha. Madje pa një certifikatë sigurie ai u fut në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Shqipërisë, ky ishte kulmi, ishte një presion, një demonstrim i pastër që ia transmetonte dikujt, që Berisha po e tregonte në stad tjetër. Pas kësaj pati masterplan në Porto-Romano, në bashkëpunim me Berishën, u planifikua për djegien e plehrave, termocentrale të djegies së tyre nëpërmjet edhe mafias italiane, që për pak u realizua në atë kohë. Mbi atë plan studimi del edhe ai i tokave. Ky studim është mbajtur gati sekret dhe mban firmë të Berishës. Do kishte HEC për djegien e plehrave që do vinin nga Italia, por protestat e asaj kohe nga opozita dhe shoqëria civile e dështuan, se i doli tymi”, shpjegon ai.
Gjithashtu shpjegon edhe skemën e blerjes së lirë dhe shitjes së shtrenjtë nga Fazlliç, me ndihmën e Berishës, që futi edhe tokat e tjera jashtë planit strategjik, duke i përfshirë në këtë projekt në Porto-Romano.
“Meqë u bë projekt-plani që do miratohej, nisi shitja e tokave apo blerja e tyre me 3-4 euro, që të rikapitalizoheshin nëpërmjet projektit me rritje të vlerës për këtë plan. Sepse investimi që do bëhej për të mbulonte 3-4 herë kapacitetet e Ballkanit, ishte si një plan strategjik. Por qëllimi i vetëm ka qenë kontrolli i naftës dhe energjisë në Shqipërinë, që të zbriste me korridor Serbia dhe Rusia. Pra nafta ruse dhe serbe të dilnin në bregdetin tonë dhe që ishte kundër normave ndërkombëtare dhe madje antikombëtare. Jemi para një fenomeni kur blihet lirë dhe shitet shtrenjtë, bli me 5 dhe shit me 20. Kjo është vepër penale që po kalon edhe në ingranazhet e drejtësisë. Idajeti përshëndetet që e çoi, e bëri fakt, e tani çështja është në dorën e drejtësisë dhe unë kam besim te ajo”, tregon analisti për Report TV.
Por Meçe zbulon edhe një aferë të dyshimtë të Sali Berishës kur ka qenë në pushtet, aktivitetin e sabotimit të linjave të Interkonjeksionit të Shqipërisë me Kosovën, një akt antikombëtar sipas tij, pasi donte që vendi të ishte i varur nga Serbia.
“Interkonjeksioni është çështja kryesore, sepse rrjeti i energjisë ndahej që nga Serbia që në kohën e Titos. Pas tranzicionit dashje-padashje edhe Shqipëria varej prej Serbisë në atë kohë. Sabotimi i linjave të interkonjeksionit të energjisë ishte një nga aktet me të rënda të Berishës, pasi ne kishim lidhjen me Kosovën dhe Italinë, që do realizoheshin, por ai është sabotuar me të gjitha format nga Sali Berisha, ajo u bë vetëm në kohën e Ramës, sepse Berisha e sabotoi dhe Shqipëria deri vonë varej nga rrjeti energjetik i Serbisë. Vetëm tani Shqipëria po shkon drejt prodhimit të një energjie diellore të pastër, po kthehet si një lider aktualisht, pra jemi në atë linjë të vjetër të firmosur në Arabi, që e çliron Shqipërinë nga varësia prej Serbisë. S’mund të bësh politikë ekonomike me një shtet që është armiqësor ndaj teje dhe ka luhatje. Kjo është filozofia e Berishës, se gjatë gjithë kohës që ka qenë në pushtet politika e tij ka qenë e dyshimtë për aq vite sa ka pasur pushtet. Ky është programi dhe filozofia e këtij njeriu”, shprehet ish-deputeti.
Po aferen me Ismail Mulletin pse se denoncon o avukat se edhe ajo nuk eshte pak ....
Përgjigju