Idrizi në ‘Kontrast’: Përnaska s’është kandidate e PDIU, e ndihmuam që të regjistrohej! Vangjeli: Do jeni surpriza e ’14 majit’

8 Maj 2023, 15:03| Përditesimi: 8 Maj 2023, 18:04

  • Share

TIRANË- Lajla Përnaska është kandidate për Bashkinë e Tiranës në 14 maj që kandidon me logon e PDIU, megjithatë kreu i kësaj force politike Shpëtim Idrizi ka shpjeguar arsyet pse ka vendosur që ta mbështesë. Në emisionin “Kontrast” në Report Tv me gazetarin Denis Minga, Idrizi tha se Përnaska nuk është kandidate e tyre, por e i kanë ofruar të gjitha mundësitë që të regjistrohet, pasi janë të mendimin që të kenë sa më shumë zëra që shkojnë përtej elektorateve PD-PS, por që synojnë elektoratin gri, aq më mirë do jetë për qytetarët.  

“Vij nga një njohje e gjatë si komshie dhe politikë, kemi bashkëpunuar në Këshillin e Europës, është një politikane e formuar, e cila donte të bëhej pjesë e kësaj gare. Ishte një iniciativë e saj dhe pranova që ta mbështesnim për regjistrimin, edhe fushatën ajo e ka bërë vetë, jo me strukturat tona. Nëse ne do shohim sot ne kemi 2 kryesorët që po i drejtohen njëri tjetrit dhe shumë pak elektoratit. Ndërkohë fushata ka sjellë që blloqet me militantët të bëhen bllok, e thënë kështu duket sikur nuk ka garë se militantët do votojnë sipas partisë, pjesa gri që është shumë e vëmendshme te programet të jetë pasive dhe do e shohim edhe në pjesëmarrje në votime. Është shumë mirë kështu që të futen sa më shumë aktor, dhamë mundësi që të jetë një zë ndryshe", tha Idrizi. 

Ai ka shpjeguar edhe pse ka vendosur që të bëjë një fushatë “të qetë”, ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim. Për këtë vendim, 2 janë arsyet.

“Na tregon që kemi marrë vendimin e duhur për të dalë vete, është fushatë intesive, nuk kemi tam-tam , se jemi fokusuar në elektoratin tonë dhe jemi për Këshillat Bashkiak. Kemi një ekip shumë të mirë. Duket sikur ata që janë kandidatë i drejtohen më shumë njëri tjetrit, sesa qytetarëve”, shtoi Idrizi.

Nga ana tjetër, analisti Lorenc Vangjeli, e ka konsideruar PDIU si një faktor shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje, e që sipas tij do të jetë një nga surprizat e 14 majit.

“PDIU hyn ndryshe në fushatë, hyn me idenë e rikonsolidimit të kësaj partie në votimin proporcional, në të gjitha llogaritë dhe sondazhet, PDIU do ketë një rol domethënës në 3 qytete, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Sarandë, do jetë një element ekuilibri. Në funksion të 2025, por edhe të 2 viteve të tjera të mandatit qeverisës, do të rishkartisen letrat se ekuilibrat e votuesve në terren janë. Do jetë një nga surprizat e këtyre zgjedhjeve”, tha Vangjeli.

Po ashtu Idrizi u shpreh se zgjodhën të dalin të vetëm në zgjedhjet e 14 majit pasi e konsiderojnë PDIU si parti kaosi e cila bën atë që nuk e bëjnë të tjerët.

“PDIU është shumë e qartë dhe ne kemi dalë në politikën shqiptare duke e nisur si zanafillë çështjen e Çamërisë, nga nevoja për të dhënë drejtësi për këtë pjesë. Ne dolëm të vetëm. Ka pasur gjithmonë tendenca çame të djathtë e të majtë. Nëse vë identitetin partiak përpara, je i lirë. Përpara thonin pse nuk dolët vetëm. Sigurisht që ku jemi në funksion me PD dhe PS. A e keni parë ndonjëherë PD apo PS që të jetë prezentë e të na mbështesë në parlament? Ne jemi për t’i shtyrë ata që kanë vendimmarrje. Nuk mendoj që ka ndonjë çam që mendon se mund të kishim diskutim këtu. Po ta shohim PDIU në funksion të tjerëve, sigurisht që ngatërrohet. Ne jemi parti kaos për të bërë atë që nuk bëjnë të tjerët”, tha Idrizi.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?