Milani i ri nis nga mesfusha, motori i ekipit dhe truri i skuadrës. Mendje të kthjellët dhe këmbë të forta, këtë kërkon Igli Tare për sezonin e parë si drejtori sportiv i Milanit. "Bjondi" shqiptar e di se asgjë nuk është e lehtë, paçka se mund të ketë në dispozicion një buxhet të konsiderueshëm.
Milanit i ka mbetur "sharra në gozhdë" me Ardon Jasharin. Talenti shqiptar i Zvicrës u shpall "Lojtari më i mirë" në Belgjikë sezonin e shkuar dhe Club Brugge nuk e lëshon pa 50 milionë euro. "SportMediaset" bën me dije në edicionin e sotëm online se Tare ka "zbarkuar" vetë në Bruggë për të biseduar personalisht me drejtuesit e zikaltërve.
Klubi belg ka në tryezë 30 milionë euro (27+3 bonuse), por ata nuk e lëshojnë Ardonin pa 50 milionë; kjo nisur edhe nga kërkesat e shumta për të. Le të themi se për Jasharin ka një ankand të hapur, ku edhe Man. United e shumë klube me emër e duan në ekip.
Si të mos mjaftonte kjo, Igli Tare po has vështirësi edhe me Bayer Leverkusen. "Aspirinat" nuk janë bindur që të lënë të lirë Granit Xhakën për 10 milionë euro, duke dashur 15-të, paçka se dëshira e mesfushorit është të marrë fluturimin sa më parë për në Milano. Xhaka i ka thënë 'po' Tares dhe gjithçka është e kryer, me Bayer që po reziston.
Emri tjetër që ka dhënë fjalën është kapiteni i Torinos, Samuele Ricci. Për të pritet të mbërrijë "tym i bardhë" shumë shpejt dhe Torino ka pranuar 25 milionë euro, me mesfushorin që do nënshkruajë deri në verën e 2030 me fitim 2 milionë euro në sezon.
Modric është i Milanit, por kroati po pret fundin e Kupës së Botës për Klube me Real Madridin para se të zhvendoset në Milano dhe të dhurojë "magjinë" e tij në mitikun "San Siro".
Komente
