Igli Tare është drejtori i ri sportiv i Milanit, teksa pritet vetëm zyrtarizimi. Sipas informacioneve të fundit që vijnë nga Italia, drejtori shqiptar sapo ka nënshkruar kontratën e tij të re që do ta lidhë atë me klubin kuqezi.
Konkretisht, Tare ka nënshkruar një marrëveshje që do të jetë e vlefshme për dy vjet me opsion për një sezon të tretë, me një pagë prej 800 mijë eurosh në vit.
Klubi kuqezi ka bërë një lëvizje shumë të rëndësishme në nivelin e menaxhimit në funksion të sezonit të ardhshëm, i cili në mendjet e pronarëve dhe tifozëve duhet të shënojë rinisjen e projektit. Njoftimi zyrtar nga Milani do të mbërrijë në orët e ardhshme dhe në atë pikë kërkimi për trajnerin e ardhshëm mund të hyjë gjithashtu në fazën e nxehtë.
Ditët e fundit, vetë Tare, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me kontaktet e tij me klubin e Milanit, ishte përgjigjur si më poshtë: "Epo, Milani është një objektiv për të gjithë. Të punoja për një klub historik dhe të njohur si ky do të ishte një nder. Gjithmonë jam përpjekur të përfaqësoj vendin tim dhe në të njëjtën kohë të jem një shembull për shumë italianë, jam gjysmë italian, kam punuar këtu për gjysmën e jetës sime, kam një pasaportë italiane dhe e mbaj me krenari. Jam shumë mirënjohës ndaj jush", thoshte Tare ditë më parë.
PUNA E TARES
Tare mund të fillojë zyrtarisht të punojë për klubin e Milanit dhe ka një volum të madh pune përpara. Nga kërkimi i një trajneri, te rinovimet e kontratave pak a shumë të vështira, përmes një tregu hyrës që do të jetë i lidhur ngushtë me një buxhet pa të ardhura nga UEFA, deri te menaxhimi i kujdesshëm i lëvizjeve dalëse, nga i cili do të duhet të 'shtrydhet' një sasi e mirë parash.
TRAJNERI
Sergio Conceiçao do largohet dhe padyshim paga e tij për kontratën e firmosur deri në 2026 do jetë një barrë për klubin. Tare ka si synim të bindë Vincenzo Italianon e Bolognas, ndërsa një emër i preferuar është edhe Max Allegri apo Maurizio Sarri. Veç trajnerit ka shumë emra futbollistësh në listën e dëshirave, me Taren që duhet të konfirmojë veten në një ambient që kërkon ringritjen.
15 vitet e kaluara te Lazio (2008-2023) në rolin e drejtorit sportiv i kanë dhënë Tares shumë kontakte dhe ai është ekspert për marrëveshjet me kosto të ulëta, që në fund kanë rezultuar produktive.
Ndërkohë që pritet zyrtarizimi nga klubi i Milanit, kreu i FSHF-së Armand Duka ka uruar zyrtarisht drejtorin shqiptar Igli Tare për detyrën e re. Në rrjetet sociale ai shkruan:
“Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit, është një arritje vërtetë e rëndësishme.
Besoj fort se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni yt do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij.
Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare.
Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën.”
Komente
