Igli Tare dhe Milani duket se janë të prirur për të "bashkëjetuar". Mes kuqezinjve dhe 'bjondit' shqiptar rrugët janë ndërlidhur sërish, por ai nuk preferon të flas më shumë për këtë çështje.
Në "Studio Champions" në Tring, Tare ishte i ftuari special dhe pyetjes për një kalim te Milani iu përgjigj duke e anashkaluar: "Nuk mund të them asgjë", - tha Tare, duke vijuar, -"por Milani ka një ekip të mirë që mund të konkurrojë për trofeun e Serie A".
Me kalimin e tij të mundshëm si Drejtor Sportiv te Milani, ish-i i Lazios nuk i fsheh vlerësimet për trajnerët. "Max Allegri dhe Antonio Conte janë dy trajnerët më të mirë italianë", tha ai duke nxjerrë nga loja Simone Inzaghin.
Paçka se e "bekoi" si trajner të Lazios, nga ku më pas Inzaghi u largua te Interi, Tare thotë se Simone ka ende vend për përmirësim. "Ai ishte i destinuar për këtë punë, këtë e kam thënë gjithmonë. Ai ka ende vend për përmirësim", tregoi mes të tjerash Tare.
SITUATA - Me daljen "jashtë loje" të Fabio Paraticit për postin e Drejtorit Sportiv, Milani u rikthye sërish te pista Igli Tare, e cila sipas medieve në Itali është më e mundshmja, pasi kandidatët e tjerë janë në klube të ndryshme dhe Tare i papunë prej dy vitesh, që nga koha kur u largua nga Lazio.
Komente
