Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi këtë të enjte kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Ish-prokurori i Tiranës, Ervin Karanxha tha në një intervistë për “Studio Live” në Report TV, se ILD dhe KLP duhet të marrin në shqyrtim sa më shpejt kërkesën e Veliajt për përjashtimin nga çështja të prokurorit Ols Dado, për të cilin thotë se është në konflikt të hapur interesi me të.
“Kjo është fazë hetimi, është caktuar masa arrest në burg. Normalisht, të gjithë prokuroritë kanë prioritet të mbarojë çështja sa më shpejt. Paraburgimi ka filluar që kur është zbatuar masa në Shkallën e Parë. Deri tani Veliaj ka bërë një muaj paraburgim. Në varësi të veprës, paraburgimi mund të zgjasë deri në një vit ndërsa është në hetim. Janë dy institute, afati i hetimit dhe i paraburgimit.”, u shpreh Karanxha.
“Janë shkelur dy ligje sipas Veliajt, ligji për zgjedhjen e prokurorit në 2001 dhe për konfliktin e interesit. Siç u bë për prokurorin Ols Dado që u intimidua dhe me të drejtë, nga ana tjetër, edhe organet e shtetit shqiptar duhet të marrin masa që t’i kthejnë përgjigje zotit Veliaj nëse Ols Dado është zgjedhur sipas ligjit apo jo.”, shtoi ish prokurori.
Një koment ai bëri edhe për kritikat që bëhen shpesh ndaj SPAK dhe GJKKO caktojnë shumë masa për paraburgim. Ai përmendi se edhe rastin e fitores së Thoma Gëllçit në Gjykatën e Strasburgut, duke theksuar se masat arrest me burg duhet të përdoren vetëm kur janë të nevojshme, ndërsa në rastin e Veliajt nuk ka rrezik që të prishë provat.
"Shohim vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Kemi disa raste që gjykata thotë se në Shqipëri po teprohet me arrestin. Ne jemi rastin e Thoma Gëllçit, që është konstatuar shkelje nga organet e ndjekjes penale shqiptare në caktimin e masës me burg. Nëse nuk do të ishte me arrest, nuk do të kishte shkelje. Arresti në burg vendoset kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Provat janë marrë dhe Veliaj nuk mund të cenojë marrjen e provave. Nuk ka rrezik ikjeje sepse ishte në Amerikë dhe erdhi përsëri. Mund të procedojmë me masa të tjera. Kemi më shumë të paraburgosur se të burgosur. Duhet të procedohet edhe me hetimin në gjendje të lirë me përjashtim kur janë vepra të rënda", shtoi ish prokurori.
Më tej, ai u shpreh se është e nevojshme që reforma në drejtësi të rishikohet.
"Reforma në drejtësi duhet riparë. Ke persona që kanë kaluar vettingun, duke pasur parasysh që edhe Ols Dado nuk plotëson kriteret, që ka kaluar shkallët e vettingut pa u kontrolluar. Ka edhe disa vendime të KPA që ka standarde dyfishe. Gjithë këto të meta në lidhje me pyetjen e dëshmitarëve mund të shikohet në Kodin e Procedurës Penale, që dëshmitari gjatë pyetjeve të shoqërohet me audio. Caktimi i masave të sigurimit duhet ndërhyrje. Duhet të rritet personeli që të mbyllin dosjet. Është qesharake që kanë shkarkuar shumë gjyqtarë e prokurorë pse kanë marrë kredi të butë ndërkohë që të tjerë janë konfirmuar në detyrë. Po marrim rastin e Dados, ka ardhur si pasojë e personave që anëtarë të vettingut kanë qenë persona të zgjedhur në kundërshtim me ligjin. E nevojshme që të rishikohet ku ka gabim dhe të ecet përpara.", përfundoi Karanxha.
Komente
