Artur Metani, kreu i LDD
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, mori pjesë në tryezën “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Në këtë event u paraqit raporti vlerësues “Pavarësia dhe llogaridhënia e Prokurorisë së Posaçme, si parakushte për performancën dhe integritetin institucional”, ku i pranishëm ishte edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Metani u ndal në fjalën e tij në koncepte dhe praktikën e pavarësisë dhe përgjegjësisë së magjistratëve, duke përcjellë statistika nga veprimtaria 5 vjeçare e ILD-së, mbi nivelin e kontrollit disiplinor ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të SPAK, GJKKO e anëtarëve të KLP.
Ndër të tjera ai theksoi se gjyqtarët dhe prokurorët duhet t’i nënshtrohen edhe sistemit të llogaridhënies, që deri tani sipas tij, ka qenë funksional.
Fjala e plotë e kreut të ILD, Artur Metani:
“Kur shqyrtohet apo analizohet veprimtaria e një pushteti të pavarur, siç është pushteti gjyqësor, padyshim diskutimi fillon nga përcaktimi dhe rëndësia e parimit të pavarësisë së këtij pushteti. Dhe padyshim, pavarësia është një element i rëndësishëm i sundimit të ligjit dhe këtu duhet të fillojë diskutimi për çdo vlerësim që i bëhet pushtetit gjyqësor. Natyrisht pavarësia e pushtetit gjyqësor është një gjë që nuk arrihet në një ditë, është një gjë që kërkon ndjekje të vazhdueshme, është një gjë që kërkon vullnet politik dhe zhvillim të demokracisë së një vendi.
Përfundimi se nuk ka demokraci pa pushtet gjyqësor të pavarur dhe se nuk ka pushtet gjyqësor të pavarur pa demokraci, mund të duket pak zhgënjyes në pamje të parë, por kjo tregon lidhjen e fortë të sundimit të ligjit dhe demokracisë. Kjo është njëra anë e medaljes. Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve është mungesa e përgjegjësisë për vendimet që japin, sipas bindjes së tyre të mbështetur në ligj. Megjithatë pasojat e pushtetit për vlerësimin që shoqëria i jep magjistratëve është e tillë, që duhet të ketë përgjegjësi, përfshirë edhe largimin nga detyra në rast të shkeljeve që justifikojnë këtë veprim. Kjo sepse pavarësia nuk është privilegj, por është përgjegjësi!
Në këtë kuptim duhet të ekzistojë një proces i vazhdueshëm i pavarësisë dhe llogaridhënies. Këto procese duhet të karakterizohen nga veprimi dhe kundër reagimi në të njëjtën kohë. Sa më shumë kompetenca të zotërojë pushteti gjyqësor, aq më të larta do të jenë kërkesat për llogaridhënie. Për këtë qëllim është e rëndësishme që organet e qeverisjes së gjyqësorit të kenë qasje aktive ndaj sistemit llogaridhënës të magjistrave, duke aplikuar qasje të reja, të cilat konsistojnë në aplikimin në mënyrë të kombinuar të standardeve të përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së tyre. Kur i referohemi konceptit të përgjegjshmërisë së magjistratëve duhet të mbajmë në konsideratë faktin se ky koncept është i ndryshëm nga ai i përgjegjësisë së tyre, koncepte këto që lidhen bashkë, dhe të dyja bashkë përbëjnë atë që quhet sistemi llogaridhënës i magjistratëve.
Standarti i përgjegjshmërisë përfshin rekrutimin apo përzgjedhjen e magjistratëve mbi bazën e meritave, kualifikimin profesional të tyre, palëvizshmërinë nga detyra, pavarësinë substanciale, pavarësinë strukturore dhe financiare, imunitetin dhe integritetin fizik, ushtrimin dhe kontrollin nga gjykatat më të larta, në bazë të parimeve të pavarësisë së brendshme të magjistratëve dhe joformal ndërmjet jurisprudencës ndërkombëtare dhe doktrinës juridike dhe krijimin e një sistemi etik dhe profesional të punës së magjistratëve.
Në rast se këto mjete nuk rezultojnë efektive, atëherë në raste përjashtimore, si dhe në varësi të rrethanave të caktuara aplikohen masa që kanë të bëjnë me sistemin e përgjegjësisë së magjistratëve dhe që lidhen me përgjegjësinë penale, civile, apo disiplinore të tyre. Në këtë kuptim, magjistratët mund të ndiqen penalisht sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale dhe konkretisht SPAK, i cili heton veprat penale në fushën e korrupsionit ka pasur disa raste objekt të hetimit të tij disa magjistratë.
Së dyti magjistrati nuk ka përgjegjësi civile për shkak të ushtrimit të funksionit përveç rastit kur ka treguar pakujdesi të rëndë. Dhe së treti magjistratët e të gjitha niveleve, anëtarët e këshillave, Prokurori i Përgjithshëm, si dhe anëtarët e gjykatës së lartë mbajnë përgjegjësi disiplinore në rast të ushtrimit të detyrës apo jashtë saj, ndërmarrin veprime që përbëjnë shkelje disiplinore, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Duke pasur parasysh këto parametra dhe këto standarde do doja t’ju prezantoj disa shifra, jo sepse shifrat përbëjnë standard, por shifrat tregojnë trend të funksionimit të mekanizmit llogaridhënës të punës së magjistratë dhe në rastin konkret të SPAK. Shifrat përbëjnë trajtimin e ankesave në të gjithë nivelin, apo të gjitha strukturat që kanë përgjegjësi për kontrollin e punës së SPAK.
Për periudhën 2020-korrik 2025, pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar 128 ankesa ndaj magjistratëve të SPAK, për të cilat rezulton se janë trajtuar 92 ankesa dhe janë në proces 36 ankesa. Ligji parashikon, që nëse ankuesi nuk bie dakord me vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka të drejtë ta ankimojë vendimin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për të njëjtën periudhë për 92 vendimmarrje të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë ushtruar 5 ankime dhe ky komision përkatës i këshillit ka vendosur lënien në fuqi të vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për Shkallën e Parë të GJKKO, të gjithës kohës 2020-korrik 2025 pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar gjithsej 53 ankesa, për të cilat rezulton se janë trajtuar 42 ankesa dhe janë në proces 11 ankesa. Në të njëjtën mënyrë ndaj vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë ushtruar 3 ankime pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në të tre rastet Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka konfirmuar vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për periudhën 2020-korrik 2005, për Gjykatën e Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionit pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar 55 ankesa, janë trajtuar 49 dhe janë në proces 6. Në të njëjtën mënyrë janë ankimuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dy vendimmarrje të Inspektorit të lartë të Drejtësisë dhe në të dyja rastet është lënë në fuqi vendimmarrja e inspektorit të lartë të Drejtësisë. Për periudhën 2020-korrik 2025 pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar 174 ankesa për anëtarët e Gjykatës së Lartë, për të cilat rezulton se janë trajtuar 112 ankesa dhe janë në proces 62. Të gjitha këto, po përfshij edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë që e kemi këtu, për këtë periudhë janë depozituar pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 7 ankesa për anëtarë të KLP dhe janë trajtuar 4 dhe 3 ankesa janë në proces.
Dua të sjell në vëmendje këtu, se edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i drejtësisë ka pasur dy procedura hetimore, të cilat kanë përfunduar për shkak se provat ishin të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore.
Të gjitha këto tregojnë në këndvështrimin tim, se sistemi i llogaridhënies funksionon dhe kjo është besoj një nga standardet e arritura këto 5 vite. Ky sistem funksionon dhe çdo magjistrat, përfshirë dhe prokurorët e SPAK, përfshirë dhe gjyqtarët e gjykatave për krimin e organizuar dhe korrupsionin apo dhe gjykata të tjera, e ndjejnë që sistemi llogaridhënës është aty, çdo ankesë ndaj tyre trajtohet në përputhje me standardet, duke ruajtur balancën e drejtë midis interesit publik për të parë se si e administron drejtësinë një prokuror apo një gjyqtar, e padyshim duke e balancuar këtë, me atë që thamë që në fillim, pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Besoj se trendi është pozitiv. Ju faleminderit!”
Lajmi kryesor:
Gonzato: Të ndalet presioni ndaj drejtësisë! Dumani: Përpjekjet për të cenuar pavarësinë e SPAK, rrezikojnë kufijtë kushtetues! Manja: Llogaridhënie
A.Q/ReportTv.al