ILD godet KÇK në drejtësi, kërkon shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, liroi nga burgu Gert Gjinararin

14 Gusht 2020, 21:00| Përditesimi: 14 Gusht 2020, 21:55

  • Share

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i ngritur në janar të këtij viti, ka marrë vendimet e para ndëshkuese ndaj grupit të gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK në drejtësi. Pas një hetimi disamujor, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të shkarkojë urgjentisht nga detyra gjyqtarin e Korçës, Markelian Kuqo, i cili liroi nga burgu në 14 shkurt 2019, Gert Gjinararin, miku i Arben Grorit, i njohur ndryshe si "Gjenerali". Gert Gjinarari ishte dënuar me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Naim Zyberit në Itali.

Në vendimin e gjyqtarit shkruhet se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri. Tashmë Markelian Kuqo rrezikon shkarkimin. Në vitin 2014, Ministria e Drejtësisë pati kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo për shkelje në detyrë, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë në atë kohë nuk e pranoi kërkesën e ministrisë. Gjithashtu, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë të marrë masën disiplinore të vërejtjes publike për prokuroren Elina Kombi, e cila la në burg Bilal Hasanin, për vjedhjen e një portofoli me 1,200 lekë. Hasani më pas vrau veten në qelitë e paraburgimit.

Ndërkaq, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë po heton edhe katër gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë. Mes magjistratëve nën hetim është edhe gjyqtarja e Krujës, Enkeleda Hoxha, e denoncuar nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për lirimin e nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle, ish-numri dy i bandës së Durrësit. Hoxha i ka falur 5 vite burg edhe Hekuran Billës në 22 shkurt të vitit të kaluar. Billa u ekzekutua tek Komuna e Parisit disa javë parë. Gjyqtarja Hoxha liroi nga burgu edhe Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari. Ajo liroi nga qelia edhe Ilir Pajën, si autor i një sërë krimesh të rënda në Itali.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?