Kronikë

ILD merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ, Franca votohet për të udhëhequr Rrjetin Evropian të Inspektimeve të Drejtësisë

24 Maj, 10:27| Përditesimi: 24 Maj, 10:37

  • Share

Inspektori i Lartë i Drejtësisë mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ, Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, ku ILD është anëtar. Eventi u mikprit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Portugalisë me praninë e shërbimeve të inspektimit të vendeve anëtare të RESIJ, Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Portugalia, Spanja, Shqipëria dhe Moldavia, e cila prej vitit të kaluar mban statusin e vëzhguesit në këtë rrjet. 

Asambleja diskutoi mbi çështje të brendshme të ndryshimeve në statutin e RESIJ, identifikimin e masave proceduriale për të lehtësuar ndryshime efektive, mbi nivelin e autoritetit të përfaqësimit të secilit vend anëtar, për të patur transparencë dhe koherencë institucionale. 

Në Asamble u bë zgjedhja e presidentit të ri të RESIJ, me konstatimin e përfundimit të mandatit nga Rumania. Me votat unanime të të gjithë anëtarëve, u votua kandidatura e Francës, e z. Stephane Noël, shefi i Inspektoratit të Drejtësisë së Francës. Franca, themeluese e Rrjetit RESIJ merr për të dytën herë Presidencën e këtij Rrjeti.

Diskutimet e anëtarëve gjatë Asamblesë u fokusuan edhe në pritshmëritë konkrete të secilit nga Rrjeti për të ardhmen, si dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane për ndarjen e eksperiencave dhe ekspertizës, në funksion të rritjes së efikasitetit të drejtësisë, duke qenë në një linjë në çdo kohë me direktivat e Bashkimit Evropian. Të ftuar në këtë mbledhje ishin shërbimet e inspektimit portugez të Prokurorisë, të Gjykatave Administrative, të ndihmësve gjyqësorë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, që bënë prezantime të funksioneve të tyre të punës për monitorimin e sistemit të drejtësisë në Portugali.

Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ, Këshilli i Lartë Gjyqësor i Portugalisë organizoi konferencën me titull “Të komunikosh drejtësinë”, që u mbajt në sallën plenare të Gjykatës së Lartë në Lisbonë. Në përshëndetjen e tij, nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, magjistrati Luiz Azevedo Mendes evidentoi faktin se komunikimi i drejtësisë duhet të përmbajë qartësi dhe thjeshtësi, sepse të kuptuarit e vendimeve lidhet me besimin publik tek sistemi dhe drejtësia dhe RESIJ e ka temë diskutimi të vetën. 

Temat e konferencës trajtuan rolin e inspektimit gjyqësor në promovimin e qartësisë dhe të transparencës së vendimeve gjyqësore; argumentimi, gjuha dhe komunikimi në vendimet gjyqësore; komunikimi i drejtësisë në kontekstin e medias: mbrojtja e të dhënave, anonimizimi i vendimeve gjyqësore; inteligjenca artificiale dhe interesi i publikut, liria e shprehjes dhe e informacionit; sfida të reja dhe avantazhe në përdorimin e mjeteve të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale në hartimin e vendimeve dhe realizimin e inspektimeve gjyqësore.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?