Poema e parë,por edhe më e famshme e njerëzimit, “Iliada” e Homerit vjen e përkthyer e në gjuhën shqipe nga Llambro Ruci. Mes miqsh, kolegësh edhe familjarësh, vepra që nuk pa dritën e botimit në të gjallë të përkthyesit modest u promovua sot në Akademinë e Shkencave. Njeriu i heshturi punës, Llambro Ruci, e cilësonte këtë vepër homerike, si poemën problematikës së përjetshme të kontradiktës së njeriut. Ndërsa, botuesja Irena Toçi dhe bashkëshortja e tij, Lavdie Ruci ndalen tek vlerat që sjell botimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe për të gjithë lexuesit.
“Mendoj se është një nga ngjarjet më të rëndësishme në këtë fushë. “Iliada” është një vepër madhore. Sa me fat që jemi që kemi dy përkthime të plota të saj. Ky përkthim në gjuhën shqipe standarde, besoj se do të jetë një vepër për t’u lexuar nga më shumë shqiptarë. I njëjti përkthyes ka përkthyer edhe “Odisenë””, shprehet botuesja Irena Toçi.
Ngjarjet e "Iliadës" kanë në qendër vitet e fundit të Luftës së Trojës. Subjekti qendror i historisë trajton mërinë e heroit grek, Akilit dhe Agamemnonit.
“Të dy veprat e Homerit, “Odisea” dhe “Iliada” ishin synim i jetës së tij, veçse autorëve të tjerë, nobelistëve grekë që ka përkthyer. Meqenëse Odisenë e pa edhe “Iliadën” nuk arriti ta shikoj, ishte detyra ime ta nxirrja në dritë këtë vepër të madhe. Vepra është e pajisur me një aparat të gjerë shpjegues, të termave edhe personazheve, që ne nuk i njohim. Jo vetëm se është e pajisur me shumë shpjegime, por është i pajisur edhe me disa studime gjermanë edhe italianë”, shprehet bashkëshortja Lavdie Ruci.
Dëshira e Toçit është që vargjet e plota të “Iliadës”, të cilat kësaj here në gjuhën standarde shqipe, të bëhen pjesë e kurrikulave mësimore
“Besoj se është momenti i duhur për të reflektuar edhe për ta përdorur gjerësisht edhe në shkollat tona, këtë përkthim që është në shqipen standarde edhe është e pajisur me shënime të përkthyesit edhe të studiuesve të huaj”, shprehet Toçi.
Poeti, përkthyesi edhe studiuesi Llambro Ruci u nda nga jeta para një viti në moshën 72-vjeçare.