Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi është objektivi i Lazios për merkaton e verës. 24-vjeçari vetëm në merkaton e janarit u bashkua me CFR Cluj në Rumani, aty ku ka shënuar 4 gola në nëntë ndeshje. Forma e mirë e Krasniqit ka bërë që interesi për të të shtohet vetëm pak javë pas kalimit në elitën rumune.
CFR Cluj pagoi 200 mijë euro te Ballkani në Kosovë për shërbimet e Krasniqit, me suharekasit që kanë ende 15 përqind të kartonit të lojtarit. Aktivizimi dhe besimi që trajneri Ilir Daja i dha sulmuesit, duket se kanë rezultuar efikase në buxhetin e kampionëve të Kosovës.
Menaxheri i tij, ka thënë se janë disa skuadrat e interesuara për të. “Krasniqi është lojtar i rëndësishëm, është vetëm 24 vjeç, ka ardhur nga askund dhe është befasia e CFR-së. Vlerësohet rreth 4 milionë euro”, tha Giovani Becali në Fanatik Superliga.
Sipas SpotMedia.ro, klubi që kërkon Krasniqin është Lazio e Serie A, e drejtuar nga Maurizio Sarri dhe drejtor sportiv shqiptarin Igli Tare.