TIRANË - Sot në orën 20:45 në 'Air Albania' të kryeqytetit, Dinamo e Ilir Dajës pret polakët e Jagiellonias. Dueli vlen për sfidën e kthimit play-off në Conference League. Para medieve foli Ilir Daja, që kërkon nga të tijtë të mos dorëzohen paçka humbjes 3-0 në ndeshjen e parë.
"Përballë kemi një ekip shumë të fortë, kjo u pa edhe në ndeshjen e parë. Edicionin e kaluar janë eliminuar në çerekfinale nga Real Betis. Ne kemi ato vështirësitë tona, me lojtarët që kanë ikur, sepse ata që kanë ardhur duan kohë të ingranohen. Disa lojtarë të tjerë kanë pasur dëmtime dhe vetëm seancën e parafundit janë bashkuar me ekipin, kështu që mbeten në pikëpyetje. Mund t'i përdorim me minutazh të kufizuar.
Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme, që të paktën të prezantojmë sa më mirë veten në këtë ndeshje. Pastaj duke parë, duke bërë. Në futboll nganjëherë kurrë mos thuaj kurrë, por është një mision shumë i vështirë", tha fillimisht Daja.
Pas mungesës 15 vjeçare në Evropë, trajneri e sheh me optimizëm arritjen në play-off.
"Dinamo ka 15 vjet që nuk ishte në kompeticionet europiane dhe të shkosh deri në play-off e Conference League është goxha arritje e madhe. Mendoj që kemi bërë maksimumin, ndoshta po të kishim të gjithë kontigjentin mund të kishim bërë diçka më shumë. Nuk ishte e vështirë për t’u thënë djemve për ta parë gotën gjysmë plot, sepse kishim problematikat tona në ndeshjen e parë. Nëse situata do të ishte ndryshe, do të bënim më shumë.
Ndeshjen e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse siç thashë disa lojtarë vetëm seancën e parafundit na janë bashkuar. Do të futemi në fushë me motivimin e duhur, por pa kaluar në aventurë, sepse do të ishte e rrezikshme, po të kemi parasysh sulmin e Jagiellonias", tha 58-vjeçari Daja.
Klevi Qefalija
Para medieve foli edhe Klevi Qefalija, mesfushori që po ndiqet me interes edhe nga Sylvinho.
"Vij nga pushimi, por nëse do të më jepet mundësia që të futem në fushën e lojës, duhet të jem 100%. Është ndeshje që nuk mund të ruhesh, nuk mund të kursehesh për vetë rëndësinë e ndeshjes. Nëse kursehem, mund ta dëmtoj edhe më shumë veten.
Kundër Jagiellonias fillimisht do të tregohemi të kujdesshëm. Është e vështirë për të përmbysur rezultatin 3-0, por jo diçka e pamundur. Do të kërkojmë fillimisht të shënojmë golin e parë, gjithmonë duke qëndruar në balancë, pastaj duke parë dhe duke bërë gjatë lojës", tha ai mes të tjerash.
Komente
