Dinamo dhe Laçi luajnë të premte në orën 15:00 për raundin e 26-të të Superligës, me duelin që zhvillohet në "Elbasan Arena". Në ndeshjet e fundit Dinamo ka katër barazime dhe një fitore, ndërsa te Blutë kanë besim për rikthimin te tri pikët.
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja beson se ekipi do të rikthehet te fitoret pas katër javësh mungesë në elitë. Sipas teknikut kryeqytetas, Laçi është tejet i vështirë, por ka gjithashtu disa pika të dobëta.
Pas rezultateve jo të mira, te 'Nëndetësja' ka optimizëm edhe pse Laçi po kalon momentin më të mirë të sezonit.
“Ka ardhur koha të rikthehemi te fitorja, por unë jam një trajner që dua t'i shoh gjërat me optimizëm. Me riardhjen e lojtarëve të cilët kanë qenë të dëmtuar besoj që është rritur edhe rivaliteti. Kjo duket edhe në seancën stërvitore. Laçi ka bërë shumë mirë në 2025 sepse ka disa fitore dhe vetëm 1 humbje. Është një kundërshtar i vështirë sepse punojnë 11 në mbrojtje dhe 11 në sulm, por sigurisht si çdo skuadër tjetër ka edhe pikat e dobëta.
Ne kemi një kontigjent të gatshëm që të përballemi me çdo ekip, pavarësisht rezultateve të fundit. Do të jetë e vështirë taktikisht, por do të futemi në fushë me idenë për të shkuar drejt fitores, sepse ky rezultat do të na bënte punë për vazhdimësinë”, tha Daja. Në këtë ndeshje mungon për arsye kartonësh Gasama Karamba.
Ndërkohë për javën e 26-të të Superligës të premten do të luhen edhe dy sfida të tjera. Në orën 17:30 Partizani pret Bylisin në kryeqytet, teksa po në këtë orar në Shkodër luhet Vllaznia - AF Elbasani.
Komente
