Ilir Daja, trajneri i Dinamos

Ilir Daja para Egnatias: Dinamo shkon për të ndryshuar statistikat, ‘luftojmë’ për ecurinë pozitive

25 Tetor, 11:39| Përditesimi: 25 Tetor, 11:41

  • Share

Egnatia dhe Dinamo luajnë sot në orën 14:00 për raundin e 10-të në Superligë. Të dyja skuadrat janë në kuotën e 15 pikëve për vendet dy dhe tre, ndërsa kërkojnë të marrin kreun me tri pikë për të kërcënuar Partizanin, që nga ana e vet ka një përballje kundër Vllaznisë.

Në prag të ndeshjes për mediet foli trajneri i Dinamos, Ilir Daja.

“Kemi pasur stabilitet në rezultate 7 javët e fundit. Egnatia është kampione e dyfishtë e sezonit të kaluar dhe një pjesë e të mirë të ekipit e ka edhe këtë vit. Mendoj se është favorite për “Final 4”, ka cilësi dhe lojë të konsoliduar. Ka meritë trajneri Tetova dhe stafi i tij.

Duhet të kemi ritëm të lartë, pasi ata kanë lojtarë që u përshtaten kundërsulmeve të shpejta. Shkojmë të përballemi frontalisht me Egnatian, duke kërkuar maksimumin, edhe pse është shumë e vështirë.

Statistikat? Japin një orientim, por gjërat ndryshojnë, futbolli është bërë shumë dinamik tashmë. Çdo lojtar i mirë që del dhe bën diferencë, ikën në një kampionat më të fortë. Statistikat janë bërë për t’u ndryshuar, kështu që me gjithë respektin që kemi, nuk shkojmë të dorëzuar në Rrogozhinë. Do luftojmë të ruajmë ecurinë pozitive.

Derbi ishte pozitiv, sepse ishte hera e parë që nuk merrnim gol. Në atë ndeshje kishim dhe mungesa, por ata që luajtën bënë mirë. Në pjesën e parë të derbit ishim të konsoliduar në të dyja fazat e lojës dhe kjo është shumë pozitive. I mëshova faktit, sepse ishte pjesa më e mirë që kemi bërë.

Nuk na duhet vetëm ngritja e nivelit fizik. Duhet të administrojmë më shumë topin, që potencial fizik që kemi ta menaxhojmë në një shtrirje më të madhe se 60 minuta.

Fusha e mirë e Rrogozhinës është pozitive për të dy ekipet, terreni i mirë favorizon lojën e bukur dhe spektaklin. Duhet ta shfrytëzojmë, sepse kemi lojtarë teknikë. Por duhet të kemi ritëm që të përballojmë Egnatian’’, tha Daja.

Edhe në këtë ndeshje trajneri Daja do të ketë mungesa, siç janë dy mbrojtësit Rustem Hoxha dhe Mateo Muzek.

Kujtojmë se sot nis java e dhjetë në Superligë me dy duele në orën 14:00. Veç Egnatia - Dinamo, luhet edhe Bylis - Teuta.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?