Sot në mëngjes mora lajmin e largimit për në amshim, të mjeshtrit, skulptorit, rebelit, njeriut të pakonformuar Agim Rada, që siç thoshte dhe vetë, “Ai kishte republikën e tij me një banor”.
Agim Rada i takon atij brezi të vogël, e mandej, do të thoja tepër të vogël të rebeluarve të viteve ‘80-‘90 si të pakonformuar me regjimin dhe me turmat pa kokë dhe zemër.
Agim Rada si skulptor, kurrë nuk realizoi një vepër të realizmit socialist si turma e tam-tameve të piktorëve, skulptorëve, shkrimtarëve, artistëve, që siç thonte Agim Rada, sot këta duhet të venë maska kur dalin në rrugë që mos ti njohi njeri.
Mirëpo ata e kanë fytyrën maskë dhe e ndërrojnë si kameleonë sipas situatës. Mirëpo ne i dimë e i njohim turpet e shëmtitë e tyre dhe krimin e madh të shpëlarjes së truve të turmave pa krye, si krime të një ideologjie Gebelsiane.
Agim Rada u inspirua në krijmtarinë e tij para 1990, me Onufrin, Gjon Buzukun, Jan Kukuzelin, kur armata e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Partisë, krijonin pllakate, piktura, skulptuara dhe letërsi shëmti.
Pas 1990 kur kameleonët ndërruan lëkurën e fytyrës me modelin e realizmit demo(n)krit tip “Kolonel Bunkeri” Agim Rada, krijoi simbolin e persekutimit të Klerit Katolik, me klerin lidhur këmbësh e duarsh me zinxhirë që qëndron para Katedrales së Shkodrës.
Më pas bustin e gjeniut Mit’hat Frashëri. Së fundi po merrej me monumentin e At Gjergj Fishtës. E ka hedhur në allçi por nuk kishte fonde, se sigurisht fondet shkojnë për kameleonët e realizmit demo(n)kritik dje realizmit socialist.
Për Agim Radên duhet të shkruash pafund, por sot po i jap lamtumirën më një thënie të Frederik Niçe, që i shkon për shtat mikut tim Agim Rada: Artisti duhet të ketë kaos brënda vetes që të lindi duke kërcyer me yjet.
Shko dhe kërce me yjet i dashur mik tani!