Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Ilir Meta ka bërë detyrën!

27 Korrik 2018, 22:09| Përditesimi: 27 Korrik 2018, 22:13

  • Share

Presidenti Ilir Meta nuk ka zhgënjyer askënd. Edhe Erion Veliaj që thotë se jam zhgënjyer, e ka çështje leksikore. Në raste të tilla ashtu thuhet në manualin e marrëdhënieve publike. Vendimi për të kthyer dhe një herë në Kuvend ligjin nuk mbështet tek nëntë arsye teknike, të sforcuara, mbështetur në ide doktrinare dhe jo në nene ligjesh, që ka shkruar stafi i Ilir Metës, por tek më shumë se nëntë arsye politike që Ilir Meta ka për ta kthyer atë.

Kryearsyeja ka të bëjë me faktin se Ilir Meta nuk është President mbi palët, por bashkryetari i opozitës dhe si i tillë ai nuk mund të hidhte në erë postin e tij real. Duke ndarë postin e bashkryetarit të opozitës, ai është në të drejtën e vet të mbrojë pozicionin e saj.

Vota e tij ka të bëjë mbi të gjitha me unitetin e opozitës. Një vendim ndryshe i Ilir Metës do të përçante opozitën, do ta dobësonte atë dhe do ta fuste të ardhmen e bashkëpunimit LSI-PD në një spirale të rrezikshme.

Për këtë, ai madje pranoi dhe lojën e “kërcënimit” nga Lulzim Basha, deri me luftë civile, që të vepronte dhe në emër të “shmangies” së kësaj lufte, edhe pse ai Lulzim Bashën sië thotë vetë nuk e beson, edhe kur i thotë “Mirëmëngjesi”.

Arsyet teknike që ka rreshtuar në ligj, referimet doktrinare tek të drejtat kushtetuese dhe rëndësitë e trashëgimisë kulturore, janë hartime këshilltarësh që kanë në biografinë e tyre, më shumë dënime nga drejtësia, se sa deklarata për mbrojtjen e drejtësisë.

Problemi moral i ligjit ka të bëjë me faktin se ai është një ligj special për kushtet specifike si po ndërtohet Teatri dhe të gjithë do të ishim të lumtur sikur të kishte një zgjidhje për ta ndërtuar me paratë publike dhe jo me ato të një privati.

Por Presidenti nuk e ka këtu problemin. Një vit më parë me iniciativën direkt të tij, për llogari të një klienti të tij, është negociuar me Bashkinë e Tiranës, një ligj i ngjashëm për kullën 250 milionë dollarëshe në “Bulevardin e Ri”, ligj i miratuar në seancën e fundit të Parlamentit të vjetër, ku Meta ishte kryeparlamentar dhe më pas i firmosur nga Bujar Nishani, që tani punon si kapter në sektorin e propagandës në SHQUP.

Pra nuk është fjala, as për parime, as delikte ligjore dhe sidomos ju lutem, as për trashëgimi kulturore. Është fjala për një betejë politike, të cilën Ilir Meta ka të gjithë të drejtën e zotit ta bëjë si bashkryetar i opozitës. Nuk ka pse bëhet bukëshkalë me partnerët e tij në opozitë, aq më keq, që kur ishin bashkë në pushtet, dhe Ilir Meta ishte në hall, ata e mbrojtën me gjak. Do të ishte turp të sillej ndryshe. Ti shiste për një Teatër, i cili mund të bëhet 50 ditë më vonë!

Komento

Komente

  • Erioni: 28/07/2018 13:53

    Likja eshte hajdut po kete rradhe TRIUMFOJE mbi banden e hajduterve te PS. Keshtu qe presidenti beri detyren morale me pergjegjesi

    Përgjigju
  • Njeri I thjeshte: 28/07/2018 05:29

    E para e punes presidenti nuk e meriton ate vend e perderisa nuk e meriton ska se si te bejedrejt e si duhet punet por do u sherbene atyre qe ka debulese e arsyet dihen se e dine se cfar corbe kane gatuar bashke Po nuk u zgjodh nga populli e te mos I perkase asnje force politike kurre nuk mund te jete per unitetin e sidomos ky qe beri fushate per leshin si president, na kercenoi me ushtrine sikur te ishte prone e ti Kesaj I thone ikin nje jari me nishan vjen nje jari me flori Vetingun duhet ta fshije kete klase politike e ky me Salen duhet te jene te paret se jane zullumxhinjte me te medhenj te keti vendi Si nuk e kuptojne sa te neveritur pa reputacion te peshtire te urryer grabitqare shpirtzinj e 1001 te tjera te zeza qe kane Turp jo per ata se ata e kane ngrene me buke por per ne qe I durojme e I ndjekim te njejtat fytyra per 30 vjet qe jane bere barrikade te rinjve qe kane studjuar e edukuar jashte duke blere me para dituri e shkence e jo diploma

    Përgjigju
  • Drejtësia: 27/07/2018 22:29

    Të bësh detyrën ka shumë mënyra. Por ta kryesh atë si ish kryetar i një partie apo ish aleat i një partie siç është shqupi, kjo nuk tregon aspakt respekt në të drejtat që ka presidenca. Presidenti është kreu i shtetit dhe për më tepër duhet të gjykoj më të mirën dhe jo lënien shkret në një kohë që jemi në prag të negociatave. Këto janë vendimarrje që e lënë vendin në vëndë numëro.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?