Seanca e radhës për shqyrtimin e ankimimit të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të mbahet më 8 shtator në orën 10:00 në Apelin e Posaçëm.
Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Çakrani ka depozituar në GJKKO kërkesë për rrëzimin e vendimit të dhënë nga gjyqtari i çëshjes Erjon Çela, i cili nuk pranoi të zëvëndësonte masën e sigurisë “arrest me burg” me një tjetër masë më të lehtë sigurie.
Vendimin e tij, Çela e argumentoi se Meta për shkak të pozitës së tij në parti, mund të intimidojë dëshmitarët e çështjes nga radhët e PL-së dhe mund të ndikojë në vijimin e hetimeve.
Në kërkesën e depozituar nga mbrojtja e ish-presidentit thuhet se rreziku i prishjes së provave është një alibi sesa një arsyetim korrekt, duke thënë se me mbylljen e hetimeve ‘helmimi i provave’ është i pamundur. Ndërsa argumentin se mund të intimidojë dëshmitarët, Meta e konsideron si një lajthitje, sepse sipas tij, ‘dëshmitarët i kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe ato janë të pasqyruara në vendimin e përfundimit të hetimeve’.
Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Ai u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.
Komente
