Kronikë

Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën, ish-Presidenti: Asnjë zhgënjim, mezi pres gjyqin të përballem

17 Korrik, 08:32| Përditesimi: 17 Korrik, 14:54

  • Share

Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në “arrest në burg” ish-Presidentin Ilir Meta, duke mos ndryshuar masën e sigurisë.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, kërkoi heqjen e arrestit në burg dhe caktimin e një mase tjetër më të lehtë.

Por trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Ilir Metës, duke e lënë në qeli ish-Presidentin.

Të pranishëm në seancë ishin prokurorët e SPAK që po hetojnë dosjen, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa Ilir Meta nuk ishte prezent. Ai përfaqësohej nga avokati Kujtim Cakrani.

Në përfundim të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, shprehu zhgënjim nga vendimi i gjykatës, duke thënë se arriti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Ai tha se Meta qëndron në paraburgim pa arsye, teksa gjykatësit i konsideroi rrogëtarë.

“Kjo drejtësi sot i arreston qytetarët dhe nuk arrin të pëfundojë hetimet. Përpara pyetjeve që kam bërë përse duhet të qëndrojë presidenti në burg, as të dy prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim. Edhe të pyetur nga gjykata ishin të pafuqishëm, nuk kishin një arsye reale. Ne arsyet tona i dimë. Presidenti i Republikës po mbahet në kushtet e paraburgimit jo normale, por në kushtet e persekutimit politik. I janë mohuar të drejtat elementare, telefonatat. Gjykata këto i lejon, këta nuk janë gjyqtarë këta janë rrogëtarë, janë të varur dhe të kapur. Gjykata sot nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani.

Kujtojmë se Ilir Meta qëndron në paraburgim që prej 21 tetorit 2024.GJKKO la në fuqi më 26 qershor masën e “arrestit me burg” ndaj tij. Mes debatesh me prokurorin Sotir Kllapi, kreu i Partisë së Lirisë pretendoi se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.

Gjithashtu Ilir Meta ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për lirimin nga qelia pasi Gjykata e Lartë la në fuqi dy vendimet e shkallëve të tjera të gjyqësorit.

Në kërkesën zyrtare, Meta argumenton se vendimi i Gjykatës së Lartë, si dhe ato të Gjykatës së Apelit dhe të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë marrë në shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve kushtetuese.

Meta pretendon se ndodhet në paraburgim pa prova konkrete, pa analizë të rrezikut real dhe me shkelje të të drejtës për një proces të rregullt. Kreu i PL thekson disa pika kyçe në kërkesën e tij si mungesën e provave të drejtpërdrejta dhe mbështetjen e akuzës mbështetje vetëm në raport policor apo informacion inteligjence.

Ish-Presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Ora 13:43
U la në burg nga Apeli i GJKKO, Ilir Meta reagon nga qelia: Asnjë zhgënjim, mezi pres gjyqin të përballem

Ilir Meta nuk është i zhgënjyer nga vendimi i sotëm i Apelit të GJKKO, që la në fuqi masën e sigurisë arrest në burg.

Në një reagim nga qelia në rrjetin social Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se kjo është një “drejtësi me regji”.

Sipas Metës, sistemi gjyqësor është në përgjimin e vazhdueshëm të SPAK-ut.

Ish-Presidenti shprehet se mezi pret që të nisë gjyqi ndaj dosjes së tij dhe të përballet me drejtësinë.

Ilir Meta akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK Altin Dumanin se kanë intimiduar dëshmitarë dhe kanë fshehur prova në hetimin ndaj tij.

Reagimi i Ilir Metës:

Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.

Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.

Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.

As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.

Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.

Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova.

Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.

Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.

Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.

Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë.

Ora 10:28
Apeli i GJKKO shqyrton kërkesën e Metës, avokati Cakrani: E ka thënë Ajatollahu, sot do ta lirojmë!

Ka nisur në orën 10:00 seanca në Apelin e GJKKO-së, ku po shqyrtohet kërkesa e Ilir Metës për lirimin nga qelia. Para nisjes së seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha shkurt për mediat se do të lirohet, duke shtuar me ironi se e ka thënë dhe ‘Ajatollahu’, referuar Ramës. 

"Patjetër që do lirohet, e ka thënë Ajatollahu, sot do ta lirojmë", tha Cakrani.

Kujtojmë që pak ditë më parë, ish-presidenti i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emrimbiemri: 17/07/2025 19:09

    Kur di qe ftyra jote eshte ne burg gezohem, te uroj edhe 50 vite burg

    Përgjigju
  • Fred: 17/07/2025 12:44

    burg te rrish si qen Keni p*rdhunu kte popull historikisht nga koha zogut deri sot Ansje ndryshim, vetem vidh e grabit e perdhuno.. Aty tiu plasi zemra vemje bashke me ty dhe te gjithe sic e meritojne.. se kupton sa plera jeni, sju do askush Por ju se keni problem se jeni pa karakter e moral, Ne kushte te tjera do ku kishte vrare ndergjegjia po te kishit Sado pak moral e seder

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?