Politikë

Ilir Meta: Regjimi i krimit shkatërroi zgjedhjet, ne nuk do të ndalemi përballë asnjë presioni

23 Maj, 11:41| Përditesimi: 23 Maj, 12:18

  • Share

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me zgjedhjet e 11 majit, ku ka përmendur atë që e cilësoi dje Berisha si 'trenin bullgar'.

Berisha përmes një video të postuar në rrjetet sociale denoncoi gjetjen e disa fletëve të votimit 11 ditë pas zgjedhjeve, në një lokal në Elbasan, për të cilat ai tha se dëshmojnë për fenomenin e trenit bullgar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, sipas Metës, ky regjim i bazuar te krimi shkatërroi standardet e zgjedhjeve dhe shtetin e së drejtës.

“Banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektoral, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore dhe të gjitha provat e masakrës elektorale, që po dalin në dritë të diellit, të organizuar nga Narkoregjimi tregojnë qartë një tjetërsim mafioz, total dhe të dhunshëm  të vullnetit të lirë të qytetarëve.

Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të “Drejtësisë së Re”, shkatërroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, shkruan Meta.

Meta tha se beteja për votën e lirë është e pakthyeshme, ndërsa theksoi se nuk do të ndalen përballë asnjë presioni.

“Beteja për votën e lirë është e pakthyeshme për të mbrojtur Shqipërinë nga gremina dhe shqiptarët nga kthetrat e Narkoshtetit kriminal. Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në një farsë, formalitet dhe në falsitet total. Mbrojtja e votës së lirë është një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë.

Sot beteja është mes narkokriminelëve që kanë zaptuar pushtetin dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur me vullnetin e tyre njerëzit, që respektojnë Kushtetutën dhe ligjin. Themeli i fitores është vota e lirë ndaj të bëjmë çdo sakrificë për t’ja shkulur pushtetin Narkoqeverisë dhe për t’ja kthyer pushtetin qytetarëve”, shkruan Meta.

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?