Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një shkrimi ka akuzuar SPAK-un për keqinformim që u ka bërë gazetarëve ndaj shëndetit të tij dhe pretendon se është ndaluar transmetimi i pamjeve të votimit të tij për të fshehur gjendjen e mirë fizike.
Ky mesazh i Metës vjen edhe pas deklaratave të gazetares Anduena Llabani, e cila në një intervistë televizive ngriti dyshime për gjendjen shëndetësore të tij duke e cilësuar edhe si të çmendur.
Në mesazhin e tij, Meta mbron qëndrimet e mëparshme ndaj ndërkombëtarëve, duke i cilësuar si kritikë ndaj ndikimit të përfaqësuesve të George Sorosit dhe kapjes së shtetit përmes Reformës në Drejtësi.
‘Kështu që unë do të isha shumë i hapur për ju edhe për bisedë, edhe për intervistë me kamera, siç kam ftuar edhe znj.Grida Duma dhe gazetarët që sipas mendimit tim ishin të keqinformuar nga SPAK-u dhe jam i bindur se pas intervistës do të keni një mendim shumë të kthjellët, jo vetëm për fletërrufenë e SPAK-ut që e ka diktuar Edi Rama dhe ka zero provë apo fakt penal ndaj Ilir Metës, por edhe për gjendjen time më të mrekullueshme shëndetësore që kam pasur ndonjëherë, me parametra piloti dhe kampion absolut në ping-pong, deri tani.
Sa i takon shqetësimit tënd për ata që më kanë tradhtuar mua, mos u shqetëso fare se ata janë viktima të shkeljeve të ligjeve që kanë bërë vet dhe nuk e justifikojnë dot asnjë akuzë ndaj Ilir Metës në këto 32 vite shërbim publik. Ju ngritët shqetësimin edhe të retorikës time në të kaluarën ndaj ndërkombëtarëve, që në fakt ka qenë qëndrimi im ndaj dhunimit që ata i kanë bërë Kushtetutës, si përfaqësues të George Sorosit në Shqipëri, me qëllim kapjen totale të shtetit dhe shndërrimin e Reformës në Drejtësi në Ramaformë dhe të shtetit të së drejtës në Narkoshtet siç jemi sot’, tha ai.
Meta deklaroi se qëndrimet e tij politike janë përkrahur jo vetëm nga qytetarët në mitingun e 2 Marsit për mbrojtjen e Kushtetutës, por edhe nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.
'Ju e dini që jo vetëm populli i Shqipërisë e ka përkrahur qëndrimin dhe retorikën time në mitingun e jashtëzakonshëm të 2 Marsit në mbrojtje të Kushtetutës, por edhe Komisioni i Venecias, në të gjitha përballjet e mia Kuvendin njëpartiak prej 122 kartonash, më ka dhënë të drejtë, madje edhe vet Gjykata Kushtetuese e Edi Ramës.
Kjo është një ftesë për të hequr shqetësimin tuaj nga ndonjë dezinformim që është shpërndarë nga SPAK (ose nga ndonjë bashkëpunëtor ose bashkëpunëtore e tij), që me urdhër të Edi Ramës ndaloi edhe gazetarët që ishin ftuar ditën e votimit për të filmuar votimin tim, gjoja për arsye teknike në mënyrë që qytetarët dhe votuesit të mos e shikonin që Ilir Meta është në top formë si asnjëherë tjetër', tha ai.
Meta ftoi edhe gazetaren Anduena Llabani që ta vizitojë në ambientet e burgut “Jordan Misja” në Tiranë, pas deklaratave të saj në media për gjendjen shëndetësore e psikologjike të tij.
Komente
