Një ditë përpara se Gjykata e Lartë të shprehej për Ilir Metën, kryeministri i vendit, Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten i tij, i shkuan për vizitë në shtëpi. U kujdesën që një gjë e tillë të merrej vesh .Zoti Meta në atë kohë ishte në hall të madh. Ishte kapur me zë dhe figurë në një aferë të madhe korruptive. Pas darkës, zoti Berisha u shpreh me vlerësim të lartë për darkën dhe për verën e mirë që e zonja e shtëpisë kishte servirur. Të nesërmen rezultati i trupës gjykuese ishte 5 me 0 në favor të Ilir Metës.
Ajo që shqiptarët kishin parë me zë dhe figurë nuk ishte ashtu siç ata e kishin parë dhe dëgjuar. Presion i hapur ndaj drejtësisë kishte bërë punë. Vizita një ditë përpara vendimit kishte dhënë rezultat. Në asnjë vend tjetër nuk është parë dhe dëgjuar që një kryeministër, një ditë përpara vendimit të gjykatës, t’i shkojë në shtëpi një të pandehuri, në pritje të dhënies së gjykimit. Sali Berisha e bëri.
Jo më kot vendimi i DASH-it, për shpalljen non-grata, veç të tjerash, specifikon se “për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, familjarët dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura”. Ndaj kur sheh sot se si Ilir Meta dhe i gjithë enturazhi i tij politik dhe mediatik i del në krahë Sali Berishës duke sulmuar Lulzim Bashën, është mëse e kuptuar.
Të parët i lidh i njëjti fat politik. Për mirë apo për keq, ata e kanë shenjuar tashmë rrugën e tyre. Për demokratët dhe PD-në ky pozicionim i Ilir Metës dhe i LSI-së duhet të ishte domethënie e madhe dhe një qartësim i krahut që ata duhet të mbanin. Po ashtu, për shoqërinë shqiptare duhet të ishte një çlirim dhe një vlerësim i madh për vendimin e duhur që Lulzim Basha mori në drejtim të Berishës dhe të LSI-së.