Kreut të PL Ilir Meta i dështoi konferenca e shtypit e paralajmëruar se do të mbahej me telefon nga burgu.
Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe strukturave të sigurisë së burgjeve.
Sipas tij, kreu i PL-së po mbahet në një izolim të skajshëm në IEVP “Jordan Misja”, i privuar nga e drejta për të komunikuar me publikun dhe përfaqësuesit ligjorë.
“Meta nuk e realizoi konferencën me gazetarët në telefonin tim sepse në ‘Jordan Misja’ u aplikua një 'blackout' total për telefonatat”, deklaroi Blushi në një dalje për mediat, duke shtuar se ky bllokim ndodhi menjëherë pas një bisede të Metës me gazetaren Beti Njuma.
Sipas tij, ndalimi i kontakteve me avokatin Dylejman Karaj nga Studio Ligjore “Cakrani” është një tjetër shkelje e të drejtave të mbrojtjes dhe transparencës.
“Meta po mbahet në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale. Ndalohet të takojë jo vetëm avokatët, por edhe familjarët, deputetë, eurodeputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë”, theksoi Blushi.
Duke e quajtur situatën si një “farsë politike e shekullit”, ai publikoi një pjesë të relacionit të fundit të SPAK, për të cilin pretendon se nuk përmban asnjë provë konkrete ndaj Metës.
“Kjo farsë do të çmontohet në Tiranë dhe Strasburg”, u shpreh ai me tone të forta.
Komente
