Foto nga prezantimi i draftit të Kodit të ri Penal

Opinion

Ilir Yzeiri: Drafti qesharak i ministrit të Drejtësisë

1 Gusht, 17:22| Përditesimi: 1 Gusht, 17:25

  • Share

Kryeministri Rama, më në fund u prononcua për probleme që lidhen me drejtësinë në këtë vend dhe nxitoi të merrte në mbrojtje Ulsi Manjën duke përdorur një fjalor jo etik ndaj gjithë atyre që ishin shprehur se drafti i kodit të ri penal që është paraqitur me pompë të madhe nga Ministri i Drejtësisë në një tubim të zgjeruar, nuk është bërë nga Ulsiu, por nga ekspertë.

Të gjithë ata që shprehën rezerva dhe madje gjetën aty në atë draft edhe marrëzira që nuk i bëjnë as aparatçikët e komunave të Askundit, pra të gjithë ata, sipas kryeministrit, janë qesharakë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, zoti Sokol Sadushi që ishte i ftuar në atë takim ku Ulsiu paraqiti draft-kodin e ri penal, tha që nuk jam njohur me të sepse askush nuk më ka vënë në dijeni më parë. Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, z. Olsion Çela u shpreh me rezerva të rënda ndaj këtij drafti, por sipas kryeministrit edhe ai nuk duhet të tregohet qesharak.

Edhe Shoqata e Avokatëve, edhe gazetarë që janë shprehur për atë draft, sipas kryeministrit, janë qesharakë. Çudi se i vetmi njeri serioz në këtë rrumpallë na del ministri i Drejtësisë i cili, kur e paraqiti më 28 korrik këtë draft tha “Ky Kod i Ri Penal nuk është thjesht një reformë ligjore, por një garanci për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ai vendos drejtësinë dhe të drejtat themelore të qytetarit në qendër të shtetit të së drejtës,” – u shpreh Ministri i Drejtësisë gjatë prezantimit. (https://www.drejtesia.gov.al/nje-kod-penal-modern-per-shqiperine/).

Tani, pasi e panë të gjithë specialistët, të gjithë aktorët që janë drejtpërdrejt të interesuar, të gjithë dinjitarët e lartë të institucioneve të Drejtësisë në këtë vend, vunë re se ai draft është një skandal, një copy past i keq, i paredaktuar dhe i papërpunuar që turpëron të madh e të vogël. Mirëpo, zoti kryeministër thotë se ata që e konstatuan këtë janë qesharakë sepse ai nuk është bërë nga Ministria e Dretësisë. Natyrisht që jo. Por Ministria e Drejtësisë ka tagrin, në emër të shumicës, që të ndërmarrë reforma të thella, të ngrejë grupe pune me ekspertë dhe të tregojë që është një institucion i besueshëm. Si qënka kjo punë që Ulsiu nuk di gjë fare, madje, sipas kryeministrit ai as nuk e ka lexuar fare.

E ka marrë nga ekspertët dhe e ka hedhur në mexhlis. Nëse nuk e ka hartuar Ulsiu dhe të tijtë, a mund të na thotë pak zoti ministër se përse, sipas tij, ky kod nuk është thjesht një reformë ligjore, por një garanci për të ardhmen europiane të Shqipërisë, siç tha në atë takim. Ka dhe një anë tjetër. Konteksti në të cilën u paraqit ky draft ishte i mbushur me ngjarje që kishin lënë një shije të hidhur për drejtësinë në këtë vend. Media vlonte nga paraqitja e Salianjit me flokë e hundë të rregulluar në burgjet shqiptare.

Eskortat që hynin e dilnin dhe befas, Erion Veliaj që shoqërohet në spital nga mbi 30 militarë e paramilitarë që varen nga Ulsi Manja. U mendua për një çast se përgjigjja e qeverisë për makabritetet e republikës së prokurorëve që po mbajnë e rrëmbejnë qytetarë dhe i plasin në burg duke shënuar rekorde të pamerituara, si vendi me numrin më të lartë të të paraburgosurve në Europë, do të ishte rishikimi i kodit penal.

Mirëpo doli se ky draft jo vetëm që nuk ka ndërmend të rishikojë fuqinë absurde që u ka dhënë prokurorëve dhe krijimit të mitit të burgut, por ka shënuar regres edhe në anë të tjera. Të gjitha këto po i përmendin çdo ditë specialistët, gazetarët, avokatët dhe shoqëria civile, e cila është e alarmuar nga ky draft, të cilin Ulsi Manja e paraqiti jo vetëm si një arritje, por si një garanci për Shqipërinë europiane.

Tani na del se ata që po shprehin rezerva dhe po e hedhin poshtë këtë draft janë qesharakë. Kryeministri Rama, si zëdhënës i ministrisë së Drejtësisë, ka të drejtë që na thotë të bisedojmë me ekspertët. Po cilët janë ata, se këta ekspertët e Ulsiut kanë bërë një draft që jo vetëm është garanci për të ardhmen europiane të Shqipërisë, por e vendos edhe qytetarin në qendër të shtetit të së drejtës. » Duhet të konsultohemi me këta apo me të tjerë…

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anti rus: 02/08/2025 08:20

    Punët e médha duan burra të mëdhenj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?