Ilir Yzeiri boton librin 'Kadare, identiteti i keqkuptuar'

28 Shtator, 10:53| Përditesimi: 28 Shtator, 10:56

  • Share

“UET press“, e njohur për botimet akademike, letrare e filozofike nga autorë të huaj e të vendit, botoi dhe promovoi ditën e premte librin me studime, kumtesa dhe analiza « KADARE, IDENTITETI I KEQKUPTUAR », të studiuesit dhe gazetarit Ilir Yzeiri.

Studiuesit Ermir Nika dhe Suadela Balliu vunë në dukje disa nga meritat e librit duke e vënë theksin sidomos te vlera e tij për studimet kadareane dhe duke përmendur nivelin e lartë të analizës dhe metodën moderne të vështrimit të fenomenit « Kadare »

Ndërsa autori i librit tha se libri që po i paraqes lexuesit, vjen pas një periudhe relativisht të gjatë.

Në vitin 2020 pata botuar « Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri » dhe « Erosi dhe Thanatosi në mjerim » (Një vështrim semiologjik për romanin « Lumi i vdekur »). Pastaj erdhi Covidi, pandemia, mbyllja brenda, një laborator në Kinë, në Wuhan, bota në kaos. Në këtë kohë, ashtu i mbyllur në shtëpi, rinisa ta lexoj edhe një herë « Koncertin » apo « Koncert në fund të dimrit » siç e pat quajtur në fillim Kadareja. Aty u mahnita përsëri me stilin dhe imagjinatën e mbinatyrshme të tij dhe shkrova një artikull. Atë studim e pat pëlqyer edhe Kadare dhe më mori në telefon nga Parisi. Bisedën e kam zbardhur edhe në këtë libër. Iku pandemia, nisi rutina e mërzitshme e ditëve në Tiranë dhe, në një prej tyre, takova Kadarenë në kafen ku ai rrinte më shumë pa folur sesa duke biseduar, aty pranë Kodrave të Liqenit. Duke biseduar me të, më lindi ideja që duhej të nxitoja dhe të mblidhja studimet, analizat, kumtesat që kam mbajtur jashtë, në Paris, në Bukuresht apo në Athinë për Kadarenë dhe, pa i thënë gjë atij, iu vura punës e i mblodha ato. Kisha një tekst konfidencial të Kadaresë. 

Në këtë libër e kam treguar përmes shkrimit « Një atentat semiologjik në Paris ». Është historia me Aleksandër Zoton. Kadareja më dërgoi një email shumë konfidencial, të cilin, me lejën e tij, po e botoj sot dhe ai gjendet këtu për herë të parë. Pastaj është historia e Jusuf Vrionit dhe marrëdhënia me Kadarenë. Diktaturat që na erdhën nga frëngjishtja. Edhe rrëfimi i Helenës dhe libri i saj i mrekullueshëm. Keqkuptimi me Nasho Jorgaqin për librin e parë « Mjegullat e Tiranës ». « Ura » e Ivo Andriçit dhe « Ura me tri harqe » e Kadaresë apo e keqja që urës së Andriçit i vjen nga Perëndimi dhe e keqja që në Urën e Kadaresë vjen nga Lindja. Topikë e vërtetuar edhe sot. I vetmi peng është se këtë libër nuk do t’ia dhuroj Kadaresë. E di që ai, atje ku ndodhet, do të ndihet mirë dhe duhet të jetë i sigurtë se « Magjia vazhdon ».

Libri është pajisur me një parathënie të zgjeruar nga studiuesja e njohur prof. Emine Sadiku e cila ndër të tjera thotë:

 “Lexuesi dhe studiuesi Ilir Yzeiri projekton në leximet e tij dhe eksperiencën e pasur si pedagog, si kritik- estet i letërsisë, si redaktor dhe moderator emisionesh kulturore me dominancë letrare-gjuhësore.

Në këtë kuptim lexuesi do të gjejë në përmbledhjen me studime të I. Yzeirit “një minierë” mendimesh, emocionesh, konstruktesh, faktesh...që së bashku të orientojnë më mirë në botën kadareane me të thënat e të pathënat e saj.”

Profesor Doktor Ilir Yzeiri është Pedagog i Letërsisë dhe i Teorive të Komunikimit dhe një gazetar i njohur. Ai ka botuar artikuj e studime në shtypin e vendit dhe të huaj. Ka marrë pjesë në disa konferenca e kolokuiume ndërkombëtare për letërsinë në Paris, Bukuresht e Athinë. « Kadare-identiteti i keqkuptuar » është libri i tij i gjashtë. Ai vjen pas librit « Poetika », « Kadare, Agolli, Arapi figuracioni në poezinë e viteve ‘60 », « Semiopragmatika e realizmit socialist », « Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri » dhe « Erosi e Thanatosi në mjerim » (Një vështrim semiologjik për romanin « Lumi i vdekur »).

Prej vitit 2001 ai drejton edhe Qendrën e Studimeve « Shqipëria Europiane » me anë të së cilës ka realizuar disa projekte dhe 11 dokumentarë. Ka botuar gjithashtu edhe librat « Demokracia, themelet, historia dhe zbatimi i saj », përkthyer nga frëngjishtja dhe botim integral i Parlamentit të Kanadasë. Ai vetë ka përkthyer librin « Hyrje në teoritë e komunikimit » të Zhan Pierre Mënje dhe Daniel Peraja. Është një nga publicistët e angazhuar të kohës dhe një penë e vlerësuar nga opinioni publik.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?