Erion Veliaj

Opinion

Ilir Yzeiri: Erion Veliaj – Vetmia e pamerituar dhe demokracia e frikës

3 Tetor, 11:26| Përditesimi: 3 Tetor, 11:27

  • Share

Nuk e di pse kisha një shpresë të vagullt që Gjykata e Lartë do ta kthente në shtëpi Erion Veliajn. Por dje u binda se edhe ky institucion është nën pushtetin e frikës që ka ngjallur terrori i prokurorëve të SPAK-ut mbi këdo që nuk i nënshtrohet pasionit të tyre të mbrapshtë për të goditur ata që disa grupe të errëta, të lidhura me politikën apo me qarqe kriminale të biznesit apo edhe më shumë se aq, i kanë vënë në shënjestër për t’i linçuar.

Erion Veliaj tani është vetëm sepse Partia Socialiste e braktisi dhe e la në dorë të atyre që i bënë atentat demokracisë shqiptare duke sfiduar në mes të ditës dhe në sy të të gjithëve, të gjitha institucionet e këtij vendi.

Rrëmbimi dhe mbajtja në burg e Erion Veliajt pa asnjë akuzë bindëse, nisur vetëm nga një copë letër anonime ishte një goditje e rëndë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Në fillim u duk se Edi Rama do të lëvizte të gjitha fijet që ka si pushtetmbajtësi absolut i këtij vendi për ta zhbërë këtë inkursion kriminal të SPAK-ut. Dhe ashtu u duk në fillim. Mirëpo, pastaj, gjithçka u venit.

Tërheqja e Ramës dhe porosia që ai u dha të tijve që të mos prononcoheshin për rastin Veliaj, në emër të parimit se PS-ja nuk ndërhyn në drejtësinë shqiptare, në rastin e Veliajt, ishte jo bindëse. Njëjtësimi i PS-së me prokurorë si Olsi Dado dhe lënia e fatit të Veliajt në dorë të një trupe që po shkelte ligjet dhe po përdhoste në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut në këtë vend, nuk mund të quhej dhe të shpallej parim.

Partitë politike janë organizime vullnetare që bazohen mbi respektin dhe solidaritetin. Në të gjithë botën, solidariteti si parim human nënkupton jo vetminë, por përkrahjen, ndihmën. Si mund të lihet vetëm Erion Veliaj përballë hijenave që duan ta shqyejnë vetëm sepse ai nuk miratoi një kat shtesë për prokurorin Olsi Dado ? Si mund të lihet vetëm Erion Veliaj përballë një sistemi gjykatash të kalbura, të trembura dhe të mbushura me të paaftë të cilat nuk kanë kurajon të tregojnë se drejtësinë e jep gjykata, prokurori akuzon. Erion Veliaj nuk shpalli dhe as nuk krijoi ndonjë fraksion që mund të rrezikonet ndarjen e PS-së.

Përkundrazi ai ishte frymëzimi i saj për shumë e shumë qytetarë që shihnin te ai njeriun e punës dhe të shpresës. Pikërisht për këtë ai u vu në shënjestër të një grupi halucinant të PD-së, të cilët, për muaj me radhë, si të ndërkryer ulërinin para zyrës së tij duke i përmendur një aferë të sajuar, një shpifje të ndyrë të një italiani që tani u provua se ishte gënjeshtër.

As atëherë unë nuk pashë solidaritet të familjes së PS-së me Veliajn. I vetmi që përgjonte prapa ferrave të urrejtjes dhe lëshonte jargë triumfi ishte Olsi Dado, prokurori-noter e ndërtues beniamini i Ina Ramës që Berisha e quajti « lavire bulevardi », i cili më 10 shkurt, me bekimin edhe të Altin Dumanit, i hodhi prangat Veliajt. Të gjithë këta ishin siguruar më parë që Ulsi Manja do ta trajtonte Veliajn në qeli si një kriminel të rrezikshëm dhe do të mbanin ndaj tij një qëndrim çnjerëzor. Po në këtë rast ku ishte solidariteti i PS-së.

Unë e kuptoj Edi Ramën kur thotë se ne nuk marrim në mbrojtje askënd dhe nuk do të jemi në krah të askujt kur ai bie në dorë të Olsi Dados apo Altin Dumanit. Por e kam  të vështirë të kuptoj se si mund të mos ndërhyjë për një trajtim dinjitoz apo si nuk u shpreh të paktën njëherë për trajtimin çnjerëzor që Ulsi Manja i bënte Veliajt në burg. Vetmia e Erion Veliajt pa asnjë shkak dhe braktisja që po i bën PS-ja është një sinjal i keq për demokracionë e brendshme të asaj partie.

Aty askush nuk mund ta ndiejë vetën të sigurtë. Frika nga linçimi, nga zilia, nga hakmarrja dhe braktisja e trishtë të kujton kohët e errëta të nënës së kësaj partie – Partisë së Punës - e cila luftën e brendshme e shpallte si parim të ruajtjes së partisë nga shkelësit.

Sot është e vështirë të kuptohet se përse PS-ja nuk shprehet dhe nuk mbron apo nuk është në krah të Ilir Beqajt fjala vjen i cili edhe trajtohet në mënyrë çnjerëzore në qeli dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, dhe sidomos të Erion Veliajt i cili jo vetëm ka hedhur poshtë çdo akuzë, edhe opinioni i juristëve më të shquar të këtij thotë se ndaj tij po ushtrohet dhunë ligjore dhe se arrestimi dhe mbajtja në burg e tij është bërë në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe kodin penal të këtij vendi. Nuk dua të merrem me vendimin e fundit të Ramës për ta pushuar nga puna Veliajn dhe për të shpallur zgjedhjet në Tiranë. Kjo është jo vetëm e padrejtë por të shtyn në arsyetime që unë nuk dua t’i bëj.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ethem Lalaj: 03/10/2025 15:30

    OK I.YZEIRI: -Me këto shkelje të rënda të KUSHTETUTËS,janë implikuar të gjitha palët:SPAK,GJKKO,KËSHILLI BASHKIAK,QEVERIA,PRESIDENTI..dhe,jo vetëm në këtë rast por që nga 1992,kur QAFË THYERI Sb KAPI DREJTËSINË 100 %. Nëse GJK nuk anulon zgjedhjet në Tiranë,do të thot se në këtë vënd nuk do të ndërtohet kurrë DEMOKRACIA që kërkuan Shqipëtarët që nga 1990.!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?