Në këto ditë të trishta për Shqipërinë e për kulturën e saj, është vështirë të ndërtohet profili i shkrimtarit apo gjeniut më të madh të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Ikja e tij, jo vetëm që na ka lënë një boshllëk të madh, por, ne duhet të mësohemi se, këtej e tutje, hija e tij do të na ndjekë kudo dhe do ta kemi të vështirë të ndahemi prej saj. Gjeni të tillë lindin rrallë në jetën e një kombi. Unë dua të rikujtoj këtu me këtë tekst lidhjen e tij me traditën e letërsisë shqiptare.
***
Zakonisht kur flasim për traditë kemi parasysh në përgjithësi trashëgiminë. Askund tjetër më shumë se në këtë pikë shqiptarët nuk janë treguar kontradiktorë e mendjelehtë. Tradita letrare shqiptare nis me tekstet e 4B-ve të mëdha e më pas vazhdon me atë që është quajtur romantizmi shqiptar dhe që u priu luftërave nacionale dhe krijimit të shtetit shqiptar. Në fillim të shekullit shpallet pavarësia e gjymtuar shqiptare dhe troje të tëra mbeten jashtë kufijve shtetërorë. Kujtoni Kosovën. Lufta e Parë Botërore vjen dhe Shqipëria bëhet teatri më absurd i kësaj luftë. Nis konsolidimi i shtetit të pavarësisë dhe letërsia e kultura njohin një zhvillim të admirueshëm. Dhjetëra tituj gazetash të pavarura, poetë si Fan Noli, Lazgush Poradeci, Migjeni dhe padyshim Fishta, ky poet që bëhet në një farë mënyre Hygoi shqiptar dhe prozatorë si Koliqi e Kuteli që sjellin në Shqipëri traditën çehoviane të letërsisë.
Me një fjalë, tradita letrare shqiptare, po të vijonte rrjedhën e natyrshme, sot do të ishte e vështirë të mendonim se çfarë do të kishte ndodhur. Mirëpo vjen viti 1944 dhe komunistët, me të ardhur në pushtet, e shkatërruan gjithë këtë traditë. Sot është absurde dhe e paimagjinueshme, por nga kujtesa e shqiptarëve për 45 vjet u fshinë emrat e korifejve të kulturës shqiptare, Fishtës, Koliqit, Konicës. Të tjerë si Poradeci u rrethuan me heshtje. Nga viti 1945 e deri në vitin 1952 në Shqipëri u krye shpëlarja më e vrazhdë e trurit dhe u vranë e u burgosën mbi 160 shkrimtarë, artistë, por sidomos priftërinj katolikë që kishin dhënë një ndihmesë të çmuar në kulturën shqiptare. Pikërisht në mes të viteve ’50 në letërsinë shqiptare vjen Ismail Kadare. Poezia e tij, sidomos, provokoi një debat të jashtëzakonshëm në shtypin e kontrolluar letrar të kohës dhe u desh edhe këtë radhë ndërhyrja e Enver Hoxhës për të përcaktuar se çfarë do të bëhej mes atyre që u quajtën „tradicionalistë“ dhe „novatorëve“. Mjaft të kujtojmë se përdorimi i vargut të lirë apo të çlirët nga Kadareja u shpall herezi.
Në fakt, në letërsinë shqiptare po vinte një shkrimtar që me vetëdije ose jo po mohonte traditën që po konsolidohej me katër dogmat e realizmit socialist. Që këtu fillon vetizolimi i Kadaresë dhe arratisja nga realiteti. Që këtu fillon ndarja përfundimtare e tij me atë që do të quhej për një kohë të gjatë tradita e letërsisë së realizmit socialist. Në këtë rast më duket se edhe për Kadarenë mund të themi atë që deklaronte Proust për Flober dhe që e rimerr Laurent Jenny kur shkruan për “gjuhën e huaj në vetë gjuhën tonë dhe përmend frazën lapidare të Proustit « libra e bukur janë shkruar me një gjuhë të huaj brenda gjuhës sonë ».
Por në rastin e Kadaresë dhe në raportin e tij me traditën letrare shqiptare mund të shtyhemi më tej. Në një kohë kur vendi u zhyt në një izolim total, kur modeli i vetëm dhe i imponuar ishte realizmi socialist vulgar dhe hymnizimi i katër figurave: partizanit në luftë, punëtorit dhe fshatarit në socializëm, gruas së emancipuar që ndërton socializmin bashkë me burrin, kur letërsia shqiptare po shkonte drejt një shabllonizmi dhe tharjeje totale, kur në imazhin kolektiv po rrënjosej me dhunë vetëm figura e një komunisti që kishte si ideal pushkën dhe kazmën, pra i një lloj terroristi po të shpreheshim me termat e sotëm që lufton dhe vret kundërshtarin, pikërisht i rrethuar nga ky mal me propogandë dhe joshje që shkonte deri në ekstazë nga projektimi që po i bënin komunistët realitetit shqiptar si vendi i vetëm në botë që po ndërton sistemin e shoqërinë më të lumtur në botë, pikërisht në këtë atmosferë Kadareja vë në dyshim gjithçka dhe nis e ndërton një sistem tjetër imazhesh e figurash.
Uni i tij shmanget dhe nuk projektohet te të tjerët komunistë apo shqiptarë, por projektohet në një realitet që e ndërton dhe e prek vetëm ai. Në qoftë se në letërsinë shqiptare shkruheshin romane apo vjersha për të himnizuar luftën partizane dhe në qoftë se në çdo vepër duhet të ishte i pranishëm një komunist që triumfon, te Kadareja përfytyrimi për luftën behët me një prift e një gjeneral që vijnë të kërkojnë eshtrat e një ushtrie të vdekur apo lufta është teatri absurd i qytetit të tij të gurtë ku personazhet janë nga më të çuditshmit dhe ku lufta shërben vetëm për të vizatuar më bukur e me më shumë ironi skenat e një qyteti që, po të mos e njohësh, e ke të vështirë ta besosh, ku fatin dhe jetën e përcaktojnë më shumë magjitë dhe filxhanët e kafesë së plakave sesa dialektika e imponuar komuniste. Kadareja jetoi e krijoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij në diktaturë.
Tipari themelor i diktaturës ishte izolimi total dhe ndërprerja e komunikimit me të tjerët. Jo vetëm shkrimtari, por cilido shqiptar tjetër, me përjashtim të atyre që vuanin në burgje si kundërshtarë të regjimit, ndiheshin të identifikuar në dy figura: njëra ishte Partia dhe tjetra atdheu. Kjo kishte krijuar egocentrizmin shqiptar komunist dhe kishte projektuar në vetëdije e në nëvetëdije kultin e qëndresës, të përjashtimit nga të tjerët. Të gjithë ndiheshin të lumtur e krenarë dhe ashtu të izoluar jetonin me kultin e perëndive të reja që kishte krijuar propoganda e regjimit totalitar. Ndërsa te Kadareja, po të nisemi, nga krijimtaria e tij, kishte ndodhur një gjë krejt tjetër. Edhe në jetën private ai ishte i vetmi që nuk merrte pjesë në jetën publike. Të gjithë e kujtojnë se pjesën më të madhe të jetës ai e ka çuar i izoluar në një apartament në qendër të Tiranës dhe të vetmet kontakte me atë që ndodhte jashtë, ishin shetitjet pas orës 9 të darkës në Bulevardin e Madh të Tiranës.
Që në atë kohë ishte përhapur miti i izolimit të Kadaresë, izolim që ai e kishte zgjedhur vetë dhe që kishte nga ana tjetër luksin e jetës së shkrimtarit, sepse e vetmja perëndi ku ai kishte projektuar unin e tij, ishte letërsia. Ndaj krijimtaria e tij me atë që krijohej në Shqipëri gjatë socrealizmit, nuk kishte asnjë pikë kontakti. Ai edhe vetë ishte i bindur se po krijonte një traditë tjetër që kishte në qendër fatin e njeriut total, shqiptar por edhe europian gjithashtu. Për Kadarenë miti i tragjedive greke dhe atyre të Shekspirit, imazhi i vdekjes tragjike për shkak të pasionit, teatri absurd ballkanas, misteri i perandorisë otomane dhe pas viteve ’70 imazhi i diktaturës, i këtij pallati që analizon deri edhe ëndrrat, u bënë ankth.
Kadareja pati edhe fatin se gjenia e tij u mbrujt në epokën e luftës së ftohtë, kur Shqipëria ndali kohën dhe për 45 vjet nxiti sidomos te një shkrimtar si Kadareja refleksionin. Ndaj të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë shqiptare ishin skena të teatrit ku ai vendoste personazhet e tij që ishin tragjikë e komikë njëherësh. Nga kjo pikëpamje Kadareja pati meritën se projektoi me veprat e tij edhe një shije të veçantë te bashkëkohësit dhe krijoi një vetëdije tjetër që kishte në thelb magjinë e artit të madh. Nga kjo pikëpamje ai mund të krahasohet me shkrimtarët e quajtur të shenjtë, me Hygoin, bie fjala, të cilët bëhen në një farë mënyre vetëdije e një epoke të tërë.
Mirëpo erdhi viti 1990 dhe ngrehina e krijuar nga tradita e socrealizmit u shemb. Në këtë pikë krijimtaria e Kadaresë është e vetmja që nuk mund të përfshihet në rivlerësimin e madh, në gjyqin herë të drejtë e herë të sajuar që i bëhet kulturës dhe artit që i shërbeu diktaturës në Shqipëri. Por Kadareja jo se ka shpëtuar nga ky lloj gjyqi. Jo, në shumë raste ndaj tij mbahet ai qëndrim që mbahet ndaj Orhan Pamukut. Ajo që nuk i falin kundërshtarët e tij, është pikërisht talenti dhe gjenia, ndërkohë që Shqipëria dhe letërsia e kultura po pësojnë dhe janë sot e gjithë ditën në një krizë të thellë.
Ka ndodhur ajo që pritej. Është bërë rivlerësimi i traditës. Ka zënë vendin e vet tradita e hequr nga qarkullimi, janë botuar veprat e autorëve të ndaluar dhe ka lulëzuar letërsia dokumentare që dëshmon krimet e diktaturës. Kanë rënë shumë nga mitet e emrat e letërsisë socrealiste, por krijimtaria e Kadaresë nuk mund dhe nuk është prekur. Ka ndodhur pak a shumë si me Krishtin. Të gjithë e pranojnë veprën e tij, por është një pjesë që kërkon ta shohë me kryqin në krah dhe sa herë që ai vjen në Shqipëri, i duhet të mendohet mirë se ku do ta ngarkojë kryqin, në cilin aeroport, sepse kur të zbresë në Tiranë, një pjesë e madhe e shtypit do t’i kërkojë që të ngarkojë kryqin, sepse shqiptarët tani janë të lirë, por nuk kanë më asnjë vend ku të projektohen: nuk besojnë në zot, megjithëse ndjekin katër besime, nuk besojnë te asnjë lider sepse i ka lodhur tranzicioni i gjatë.
Në vetëdijen kolektive shqiptare tani projektohen vetëm fajtorë dhe Kadareja, në një pjesë të madhe, fajësohet edhe pse nuk na shpëtoi më parë nga diktatura. Mirëpo Kadare krijoi një traditë tjetër në letërsinë shqiptare dhe në atë botërore: ai krijoi letërsi të madhe, të veçantë, tregoi ngjarje e ndërtoi personazhe ashtu siç kishin bërë më parë edhe Shekspiri apo Dante, Kafka apo Markezi. Ai, ashtu si Pigmalioni, i besoi vetëm Galatesë së tij dhe na e dha edhe neve që ta shijojmë Galatenë e tij. Në këtë pikë ndoshta nuk është i saktë ndonjë përcaktim që pas çdo vepre të Kadaresë lexon një alegori politike. Në fakt, vepra e Kadaresë shkonte në të kundërt me atë që bënte tradita e socrealizmit shqiptar dhe këtë ankth, këtë pamundësi për t’u shndërruar në një shërbyes banal, vetëdijen se arti ka brenda mitin e Pigmalionit, ai e ka shpështjellë me mjeshtëri në një nga romanet më të bukura të tij, në romanin “Hija”.
*Kjo kumtesë u mbajt në Kolokuiumin Nërkombëtar “Lectures d’Ismail Kadare” që u zhvillua në Universitetin Paris X, Naterre, Francë
Ky studim i z.Ypi per Kadarene eshte nje vleresim serioz,i permbajtur dhe objektiv.Nuk eshte shkrim ne nivelin e xhelozise,agresivitetit dhe denigrimit sic ke raste te tjera.NJEREZ te tille na nderojne jashte SHQIPERISE dhe pasurojne mendimin kritik. POHIMI per talentin e Kadarese tregon forcen e tije morale dhe fisnikerine kunder qendrimeve mediokre qe e donin Kdarene nje te burgosur me shume
PërgjigjuNje analize e bere mbi fakte dhe vepren madheshtore te kolosit te letersise shqiptare.
Përgjigju