Samiti e vendeve të Europës që përfshin anëtarët e BE-së dhe të tjera vende jashtë këtij organizmi, siç është rasti ynë, është një forum politik i krijuar me nxitjen e presidentit francez Makron për ta mbajtur Europën më të bashkuar përballë Rusisë, sidomos pas politikës së Trump, i cili, në fillim të mandatit të tij, ndërroi qasje ndaj konfliktit ruso-ukrainas.
Organizimi në Shqipëri i këtij forumi të lartë ka një vlerë tjetër për ne, shqiptarët, që jemi në kërkim të identitetit europian prej shekujsh. Sot jetojmë në një botë ku demokracia si vlerë dhe Perëndimi si model janë vënë në provë, qoftë identitare, qoftë edhe ekzistenciale. Temat e mëdha që diskuton Europa e pasur dhe SHBA-ja janë emigracioni dhe taksat doganore. Gjithë fokusi i të gjitha takimeve të këtij niveli është te mbrojtja që duan të realizojnë vendet e konsoliduara dhe ajo që quhet Europa e vjetër përballë dy ose tre kërcënimeve- emigracioni në radhë të parë, konflikti me Rusinë që mund të prekë dhe Europën dhe tarifat doganore me Amerikën. Mirëpo konflikti në Ukrainë dhe projektimi i Rusisë si një vend agresor e ka bashkuar më shumë Europën.
Për fat të mirë, me politikën tonë konstruktive dhe thellësisht proeuropiane, ne jemi bërë pjesë e zgjidhjes së problemit dhe autoriteti ynë është mbresëlënës. Siç dihet, në këto tryeza, ka pasur pak hapësirë për mendimet tona sepse aty ne ndodheshim në anën e problemit e jo të zgjidhjes. Ne nuk duhet të presim që, pas kësaj, opinioni i mediave perëndimore do të shkëputet nga klishetë tradicionale ndaj nesh. Një media angleze, duke u marrë me kryeministrin britanik, thoshte se ai humbi përballë Ramës, sepse, ky i fundit, e refuzoi në mënyrë të prerë atë marrëveshje që pat bërë me Italinë motër për emigrantët. Pra për mediat angleze ne jemi vetëm një mundësi për të zgjidhur hallet e tyre, por jo partnerë europianë. Në anën tjetër, duke njohur peshën reale që kemi ne shqiptarët në botën e madhe të ideve e të vendimmarrjes, dita e sotme është një ngjarje e madhe për disa arsye të tjera.
Ne sot mirëpresim në Tiranë krerët më të lartë të Europës e organizmave ushtarake e politike të saj duke treguar se jemi më në fund një vend që ofrojmë siguri, mikpritje dhe gatishmëri për t’u bërë pjesë e tavolinës ku merren vendime për t’u zgjidhur problemet e mëdha të Europës, ndryshe nga shumë vite më parë kur prisnim te dera që të mësonim se çfarë vendimi do të merrnin të tjerët për ne. Natyrisht ne nuk duhet të mbetemi në rolin e atij që të ofron lokalin për dasmë, por duhet të bëhemi edhe europianë me mënyrën se si po zhvillohemi, apo se si po e shfytëzojmë lirinë dhe ekonominë e tregut për të zhvilluar vendin dhe për ta bërë atë të jetueshëm për të gjithë shqiptarët. Gjithçka e arritur deri tani është vërtet impresionante dhe këtë e pohojnë të gjithë. Turizmi me shifra rekord, admirimi që kanë të huajt dhe vëmendja për ta vizituar, mundësitë e mëdha që ofron ky vend për këtë degë të ekonomisë është vërtet shprsëdhënëse.
Mirëpo, ne ende nuk po arrijmë të krijojmë një stabilitet të pranueshëm politik. Për shkak se prodhojmë në mënyrë ciklike haxhiqamilë, vendi, në shumicën e kohës, paraqitet në kaos dhe vendimmarrja legjislative apo ajo politike, në vend të dialogut, ngrihet mbi refuzimin dhe përplasjen. Ashtu siç jemi shënjuar edhe nga antropologjia e legjendave e miteve tona, në të shumtën e herës, atë që ndërtojmë ditën e prishim natën. Energjitë që harxhojmë për ta denigruar vendin tonë falas dhe për ta paraqitur ende me halucionacionet e atyre që nuk e duan këtë Shqipërinë tonë të vogël, janë të mëdha. Premtuam se do të ndëshkonim krimin politik që i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme këtij vendi, por arritëm vetëm të fusim në Parlament prokurorët që sistemi i vetingut i nxori nga qarkullimi.
Në vend që samiti i Tiranës të shërbente për të zgjeruar ndikimin e faktorit shqiptar mbi vendimmarrësit e Europës, aty mungon Albin Kurti. I vetmi kryeministër që nuk e ka uruar ende Ramën për fitore dhe e vetmja mazhorancë e dalë nga një palë zgjedhje që për të pesëmbëdhjetën herë nuk arrin të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit e pastaj të konstituojë qeverinë dhe organet e tjera. Sot në samit është edhe Vuçiçi, kryeministri i kundërshtuar prej muajsh të tërë nga të rinjtë studentë të Serbisë, por i pashqetësuar nga europianët. Aty është edhe Erdogan që ka burgosur kryetarin e Bashkisë së Stambollit dhe qindra përkrahës të tij.
Sot, megjithatë, është një ditë e bukur sepse, si asnjëherë tjetër, në kryeqytetin e vendit më të vjetër të Europës, por më të prapambeturin politikisht, Europa po shtron me të madhe vullnetin për t’u bashuar rreth idealit europian që nis me filizofinë greke, vijon me të drejtën romake e vazhdon me iluminizmin, atë Europë, siç tha Meloni, që, ne, shqiptarët, kishim në mendje e në zemër 30 e ca vjet më parë. Aty nga pasditja dinjitarët më të lartë të Europës do të kenë dëgjuar hoxhën që këndon me altoparlant shumë pranë tyre dhe në mëngjes mund të kenë dëgjuar edhe kambanat e kishës.
Për ta është një përjetim bezdisës ende që të ndiejnë dhe të pranojnë se një vend si Shqipëria që njihet më shumë për njëmijë e një të zeza, të ketë këtë vlerë të madhe që është harmonia fetare dhe besa ndaj mikut, siç është rasti i lodhshëm që u themi të huajve kur flasim për atë që i treguam ne, shqiptarët, gjithë botës me mbrojtjen që iu bëmë hebrenjve. Natyrisht për këtë bezdisje që ndiejnë ata kur dëgjojnë për këto vlerat tona, fajin e kemi vetë sepse edhe sot që është një ditë e bardhë për kombin shqiptar, një haxhiqamil u nis në Bruksel që të tregojë halucinacionet e një njeriu që është shenjuar non grata dhe që me krimet që i ka bërë këtij vendi, e ka larguar nga Europa.
Megjithatë, kjo është një ditë e bukur.
Komente
